TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Me rastin e 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, në Prishtinë është mbajtur konferenca shkencore “Shqipja standarde sot”.
Konferenca u organizua nga Akademia e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
Akademiku Rexhep Ismajli çeli konferencën, duke thënë se 50 vjet më parë, në Tiranë, u mblodh “forumi më i lartë shkencor në shkallë kombëtare për të diskutuar e për të marrë vendime të rëndësishme për drejtshkrimin e gjuhës së sotme shqipe dhe në një vështrim më të gjerë për çështje që lidhen me normën letrare.
Gjatë fjalës së përshëndetjes drejtuar kryetarit të ASHAK, akademik Mehmet Krajës, kryetarit të Akademisësë Shkencave, Skënder Gjinushit dhe të pranishmëve, konferencën shkencore “Shqipja standarde sot” e vlerësoi si një ngjarje me rëndësi themelore në historinë e planifikimit gjuhësor, të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe.
Rezoluta e miratuar në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe shpallte: “Populli shqiptar ka tashmë një gjuhë letrare të njësuar”. Rezoluta bënte thirrje për shtresat e ndryshme që “ta pasurojnë e ta ngrenë gjithmonë më lart gjuhën tonë letrare kombëtare”.
U nxorën dekrete për veprimtari konkrete për zbatimin e vendimeve të Kongresit, por akademiku Ismajli tha se të tilla vendime në Kosovë nuk ka pasur, por vendimet e Kongresit janë zbatuar kryesisht mbi bazë të entuziazmit.
Me rastin e 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, kanë zhvilluar konferenca e takime shkencore.
/r.e/




























