Ballina Aktualitet

30 ushtarakë të FA në operacionin e NATO-s në Bullgari

TIRANË, 4 nëntor /ATSH/ 30 ushtarakë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë do të marrin pjesë në operacionin e prezencës dhe vigjilencës së përforcuar (eVA), drejtuar nga NATO-ja, në Bullgari.

Këshilli i Ministrave vendosi sot pjesëmarrjen e personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin e prezencës dhe vigjilencës së përforcuar (eVA), drejtuar nga NATO-ja, në Bullgari.

Në vendim thuhet se, në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr. 9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr. 64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave vendosi dërgimin me mision të një toge, të përbërë nga 30 (tridhjetë) ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në operacionin e prezencës dhe vigjilencës së përforcuar (eVA), drejtuar nga NATO-ja, në Bullgari.

Misioni i personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë është kryerja e detyrave në mbështetje të grupbatalionit shumëkombësh për sigurinë e kufirit lindor të Aleancës, në zonën e caktuar të përgjegjësisë.

Venddislokimi i togës së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë është në Novoselo, Bullgari.

Kohëzgjatja e këtij misioni është 3 vjet, me sistem rotacioni. Periudha e rotacionit, për çdo togë, është 180 (njëqind e tetëdhjetë) ditë, së cilës i shtohen edhe ditët e qëndrimit për ndërrimin me togën e radhës.

Ministria e Mbrojtjes, për ushtarakët pjesëmarrës në këtë operacion, përballon shpenzimet për: dieta për ditët e qëndrimit, në masën 6000 (gjashtë mijë) lekë në ditë, përveç pagës mujore; akomodim; ushqim; lavanderi; sigurimin e jetës; siguracionin shëndetësor jashtë zonës së operacionit; mbështetje shëndetësore; shpenzime për telefon, internet dhe shërbime postare; transport; transportimin e individëve të shkëputur të misionit për në atdhe në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disipline; aktivitete social-kulturore, në rastet e festave kombëtare, gjatë kohës së kryerjes së misionit; çdo shpenzim tjetër për mbarëvajtjen e kryerjes së operacionit.

Transporti i personelit që merr pjesë në misionin në Bullgari, ndërsa nis, ndryshon dhe përfundon detyrën për t’u kthyer në Shqipëri, mbështetja shëndetësore, akomodimi, ushqimi, uji, lavanderia, transporti i individëve të shkëputur nga operacioni për në atdhe, në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disipline përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, përveç rasteve kur arrihet nënshkrimi i marrëveshjeve dy – ose shumëpalëshe, ku pala/palët tjetër/e tjera të marrë/marrin përsipër të përballojë/përballojnë këto shpenzime.

Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2022.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – 100 vjet më parë u zbulua Tutankhamoni
Artikulli tjetërReynders: Shteti i së drejtës, vlerë themelore e BE-së