Ballina Flash

105-vjetori i çeljes së Liceut Francez në Korçë

TIRANË, 25 tetor/ATSH/ Sot është 105-vjetori i themelimit të Liceut Francez në Korçë. Ky institucion i arsimit të mesëm hapi dyert me vendim të qeverisë së Republikës Autonome të Korçës. Në vitin 1921 u emërtua si “Liceu Kombëtar i Korçës”. Veprimtaria e tij do të shtrihej përgjatë periudhës së parapushtimit italian, deri në vitin 1939.

Liceu i Korçës ishte një shkollë e mesme, e financuar nga qeveria shqiptare, por që përhapte kulturën franceze dhe vlerat evropiane. Shkolla funksionoi plotësisht në vitet 1917-1939. Përveç lëndës së gjuhës shqipe, lëndët e tjera të programit mësimor, kryheshin në frëngjisht.

Me rastin e kësaj dite të shënuar, në mjediset e liceut të dikurshëm, sot gjimnazi “Raqi Qirinxhi”, është zhvilluar një veprimtari përkujtimore, ku kanë qenë të pranishëm kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, prefekti Nertil Jole, profesorë etj.

Liceu Francez ishte shkolla e parë e kulturës së përgjithshme në Shqipëri, e cila ka nxjerrë figura të shquara të botës akademike dhe jetës shoqërore në vend.

“Për ne korçarët është një krenari e veçantë që historikisht kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi ne pararojë të zhvillimeve në fushën e arsimit edhe në rang kombëtar. Përveç shkollës së parë shqipe ne krenohemi me Liceun Kombëtar, sot shkolla “Raqi Qirinxhi” e cila trashëgon një traditë emblematike sa i përket kontributit në arsimin shqiptar”, u shpreh gjatë takimit, prefekti i Korçës, Nertil Jole.

Prefekti uroi shkollën “Raqi Qirinxhi” për suksese të tjera, punë e cilësi, për të mbajtur lart emrin e Liceut Francez, por edhe emrin që mban sot.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakForcohet euroja, dobësohet dollari në raport me lekun
Artikulli tjetërKurti: 31 tetori, data e fundit për konvertimin e targave në RKS