Ballina Aktualitet

Noka për ngjarjen në Klos: Shteti dhe Policia kanë braktisur qytetarët

TIRANË, 12 tetor /ATSH/ Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur sot në Klos, ku 3 persona kanë mbetur të vdekur dhe janë plagosur 5 të tjerë.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka në një deklaratë për mediet tha se Besnik Mjeshtri, njëri prej bashkëpunëtorëve të vrasjes së Kenad dhe Ilir Shirës është punonjës i Policisë Bashkiake të Klosit dhe se policia ka qenë në dijeni të konfliktit dhe nuk e ka parandaluar.

“Autori i masakrës rezulton një patronazhist me uniformë, Besnik Mjeshtri, punonjës i Policisë Bashkiake të Klosit. Policia ka qenë në dijeni të konfliktit dhe siç duket qartë nuk ka marrë masë për parandalimin. Kjo është një ditë e zezë për familjen që ka humbur njerëzit e dashur dhe një goditje e rëndë për mbarë komunitetin e Klosit dhe gjithë shoqërinë”, shprehet Noka.

Ai thekson se, është një goditje për çdo shqiptar kur e merr vesh se arma që shteti i jep punonjësit për mbrojtjen e qytetarëve del nga brezi për t’i vrarë ata. Është një goditje kur familjet me lidhjet me partinë-shtet, siç është rasti i Klosit bëjnë akte kamikazë në mes të vendit, duke e ditur veten të paprekshëm.

“Partia Demokratike denoncon masakrën shtetërore dhe bën me dije se rendi dhe siguria e qytetarëve do të ekzistojë në këtë vend kur policia e shtetit të pushojë së qeni trupë politike e orientuar nga pushteti. Fakti që autori i vrasjes është polic bashkiak e bën shtetin dy herë fajtor”, tha Noka.

“Vetëgjyqësia është bërë modë në shtetin e Edi Ramës, sepse policia nuk kryen detyrën, nuk e njeh komunitetin dhe problematikat e tij, nuk kontrollon territorin, nuk veprojnë si profesionistë dhe i braktisin qytetarët në duart e vetëgjyqësisë”, shprehet ai.

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTë paktën 400 mijë arreste kardiake në BE çdo vit, 42% pa manovra jetëshpëtuese
Artikulli tjetërZuckerberg: E ardhmja i përket metaversit