TIRANË, 10 tetor/ATSH/ Në Spitallë të Durrësit ka nisur të marrë formë lagjja e re për familjet që mbetën pa shtëpi pas tërmetit të nëntorit 2019.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga kjo lagje, cila ka rilindur pas tërmetit shkatërrimtar.
Rama tha se “me bllokun e parë të banimit, falë mbështetjes bujare të Emirateve të Bashkuara, ka nisur të marrë formë një qendër e re e qytetit, me standarde optimale urbane e mjedisore, me parqe, çerdhe, kopsht, shkollë, zonë sportive dhe universitetin aty pranë”.
Me një arkitekturë të veçantë, kjo do të jetë lagjja më e madhe dhe një nga më të bukurat brenda Programit të Rindërtimit, një dhuratë bujare e Princit të Kurorës së Emirateve të Bashkuara Arabe për familjet që humbën shtëpitë nga tërmeti.
Në përfundim të punimeve në Spitallë do të ketë rreth 1000 apartamente për 4000 banorë.
/k.s/j.p/r.e/























