Ballina Bota

SEUL – Pheniani: Testet e raketave për të simuluar bombardimet bërthamore

SEUL, 10 tetor /ATSH-DPA/ – Pheniani deklaroi sot se testet e fundit të raketave kishin simuluar bombardimin me armë bërthamore taktike, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve (KCNA).

”Testet kishin për qëllim, ndër të tjera, të simulonin bombardimin e fushave ajrore në Korenë e Jugut dhe të përcillnin një paralajmërim të fortë ushtarak kundër armiqve”, tha (KCNA).

Udhëheqesi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un mori pjesë personalisht gjatë testimit të armëve, ku u përdorën gjithashtu koka bërthamore të rreme.

Media shtetërore tha se testet ishin në përgjigje të manovrave të përbashkëta detare të SHBA-së dhe Koresë së Jugut që përfshinin aeroplanmbajtësen me energji bërthamore “USS Ronald Reagan”.

Koreja e Veriut ka kryer një sërë testesh raketore gjatë dy javëve të fundit.

Së fundmi, Pheniani lëshoi dy raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi drejt Detit të Japonisë, i njohur gjithashtu si Deti Lindor.

Të martën e kaluar, ushtria e Koresë së Veriut lëshoi një raketë balistike me rreze të mesme veprimi mbi arkipelagun japonez, për herë të parë në gati pesë vjet.

Rezolutat e OKB-së e ndalojnë Korenë e Veriut të testojë raketa balistike të çdo rrezeje, të cilat në varësi të dizajnit të tyre mund të mbajnë edhe një kokë bërthamore.//a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMerr formë qendra e re e banimit në Spitallë
Artikulli tjetërKushi: Akademia e Shkencave po përshtatet me trendet e zhvillimit shoqëror