Ballina Bota

SPANJË – Për herë të dytë në Evropë zbulohet gripi i shpendëve te njerëzit

MADRID, 4 tetor /ATSH-AA/ – Një punëtor ferme shpendësh në Guadalajara të Spanjës është prekur nga gripi i shpendëve.

Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Qendra e Koordinimit të Sinjalizimeve dhe Emergjencave të Ministrisë së Shëndetësisë të Spanjës deklaruan se gripi i shpendëve u zbulua tek një person që punonte në një fermë shpendësh në Guadalajara të Spanjës më 27 shtator, dhe thuhet se pacienti u fut në në karantinë dhe rezultoi “negativ” në një kohë të shkurtër.

Theksohet se gripi i shpendëve u pa tek njerëzit për herë të dytë në Evropë dhe për herë të parë në Spanjë.

Rasti i parë u regjistrua në BM, në dhjetor 2021.

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë së Spanjës informuan se pacienti ishte pozitiv me një ngarkesë virale shumë të ulët dhe nuk kishte simptoma.

Gripi i shpendëve, i quajtur “H5N1”, u zbulua për herë të parë në Kinë në fund të viteve 1990, dhe kur gjashtë nga 18 persona të infektuar me virus vdiqën në Hong Kong në vitin 1997, u njoftua nga studiuesit se njerëzit mund ta përhapnin këtë virus dhe të ketë pasoja serioze.

Sipas të dhënave të OBSH-së, 456 (52 për qind) nga 864 persona të diagnostikuar me grip të shpendëve kanë vdekur që nga viti 2003./ /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMeta: Opozita me kandidatë të përbashkët në zgjedhje
Artikulli tjetërTurizmi, projekte zhvillimore në 4 bashki