TIRANË, 4 tetor /ATSH-I.Vata/ Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi sot pas takimit me kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha se në zgjedhjet vendore do të dalin me kandidatë të përbashkët.
Meta tha se i kanë lënë në dorë Berishës që të zgjedhë kandidatët më të mirë me të cilët do të dalin në zgjedhje.
Ai tha se “Partia e Lirisë është e hapur për të bashkëpunuar më çdo faktor të vërtetë opozitar në radhë të parë me PD në interes të vendosjes së demokracisë sa më shpejt në vend në të gjitha nivelet e pushteteve dhe për t’i balancuar pushtetet”.
“Partia e Lirisë ka qenë dhe është e gatshme të bashkëpunojë dhe koordinojë aksionin opozitar si një interes kombëtar dhe jo interes partiak. Ne kemi vënë re në të kaluarën lojërat e ish-lidershipit të PD-së që përdorte bashkëpunimin për të forcuar pozitat e veta apo bërë shantazhe qeverisë apo oligarkëve gjobat e veta. Kjo nuk ekziston si filozofi e PL. PL e ka përballjen me Edi Ramën dhe regjimin mafioz dhe dëshiron t’i bashkojë forcat në mënyrën më të hapur me të gjithë forcat e tjera që janë realisht në opozitë me Edi Ramën. Dhe ne kemi bërë të qartë çdo vonesë ndihmon Edi Ramën”, tha Meta.
Meta tha se është e domosdoshme që e gjithë opozita të dalë me kandidatë të përbashkët dhe ne do mbështesim kandidatë që do zgjedh PD e Berishës.
“Ne luftojmë të dalim forcë e parë në të gjithë këshillat bashkiakë të Shqipërisë. Në Tiranë dhe kudo, ky është objektiv i qartë. Dhe rikthimi i Partisë së Lirisë do jetë shumë i fuqishëm. Së dyti, kemi bërë të qartë së në kushte e përballje me një regjim mafioz, por në këto kushte është e rëndësishme që opozita të ketë një kandidat në çdo bashki. Dhe në këtë drejtim ne nuk do të vëmë kushte për asnjë lloj bashkie, asnjë kandidat. Nëse do të ketë kandidat nga PL që ka përkrahje ajo është një çështje që do ta bisedojmë dhe ky kandidat do testohet. Në këtë proces ne jemi të qartë. PD ka nisur një proces, primaret, dhe i vlerësoj, sepse është një praktikë demokratike. Dhe së treti, nuk është kaq e lehtë të zhvillosh zgjedhje me standarde në kushte të një regjimi mafioz. Në këtë kushte PL do mbështesë kandidatët më të mirë. PD të marrë përgjegjësinë dhe të vazhdojë procesin që ka nisur prej kohësh për përzgjedhjen e kandidatëve më të mirë”, tha ai.
Në njoftimin për mediat të PD-së behet e ditur se sot u zhvillua një takim mes Kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha dhe kryetarit të Partisë së Lirisë zotit Ilir Meta.
Në fokus të takimi ishte bashkëpunimi Aleancën e Partisë Demokratike me Partinë e Lirisë në zgjedhjet vendore.
“Në këtë takim morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike zoti Flamur Noka dhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Petrit Vasili. Në takim u diskutua dhe u ra plotësisht dakord për bashkëpunimin, bashkërendimin dhe Aleancën e Partisë Demokratike me Partinë e Lirisë në zgjedhjet vendore, inisiativat parlamentare, në protestat popullore kundër pushtetit të Edi Ramës. Takimi u karakterizua nga fryma e mirëkuptimit të plotë”, thuhet në njoftimin e PD.
/r.e/






















