Ballina Flash

Materniteti i ri i Beratit, standarde shërbimi për nënat dhe fëmijët

TIRANË, 25 gusht/ATSH/ Materniteti i ri i Beratit, një investim madhor i qeverisë shqiptare, ofron tashmë me standardet më të mira ndërkombëtare, për shëndetin e nënave të reja dhe të porsalindurve.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ndau sot në rrjetet sociale pamje nga spitali i Beratit.

“Krenare për standardin e ri të shërbimit që kemi vendosur në Maternitetin e Ri të Beratit për nënat e kësaj zone, që sot i sjellin në jetë fëmijët në super kushte dhe me një shërbim shembullor. Ashtu siç bëmë në Berat, në Lezhë, Korçë, Sarandë e Kukës, me ndërtimin e 5 materniteteve të reja, nuk do ndalemi në investimet për shëndetin e nënës dhe fëmijës, me superinvestimin në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” dhe ”Koço Gliozheni””, theksoi Manastriliu.

Materniteti i Beratit është pjesë e një zinxhiri investimesh në rrjetin e pediatrive dhe materniteteve në të gjithë vendin, që kanë njohur një hop të ri gjatë viteve të fundit, me një program të dedikuar për të ndërhyrë për përmirësimin e kujdesit për nënë dhe fëmijën në të gjitha nivelet e ofrimit të shërbimit shëndetësor në vend.

Ky maternitet me 52 shtretër dhe 3 salla operacioni, është i pajisur me aparatura të teknologjisë së lartë dhe garanton një standard të ri shërbimi në gjinekologji, obstetrikë dhe neonatologji për të gjitha gratë e këtij qarku.

/k.s/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPërfitimet e leximit në shëndetin e njeriut
Artikulli tjetërNdërtimi i rrugës Qukës-Qafë Plloçë, 16 milionë lekë për shpronësimet