TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi sot në një konferencë për shtyp se, është për të ardhur keq për Autoritetin e Dosjeve që ka kërkuar nga Kuvendi një ndryshim të ligjit për të verifikuar rastin e politikanit të lartë I.M.
I pyetur nga mediet në lidhje me shkresën drejtuar Kuvendit nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për një politikan të nivelit të lartë me inicialet I.M dhe për ndryshimin e ligjit, Meta tha se, “si mund t’i shmangem unë një përgjigjeje pavarësisht se nuk ka shqiptar mbi këtë tokë, që nuk e kupton këtë akt vetëvrasës, sepse Autoriteti i Dosjeve, para se të jetë një autoriteti ligjor është një autoritet moral. Sepse ty të është besuar një detyrë që ti të trajtosh me kujdes, me vëmendje, me përgjegjësi të kaluarën e dhimbshme të popullit shqiptar dhe personat që janë prekur apo që janë implikuar në mënyrë të vullnetshme dhe të cilët kërkojnë t’i shpëtojnë filtrit dhe të vazhdojnë të kontribuojnë në jetën publike duke përbërë një rrezik për shoqërinë, për të drejtat e njeriut. Dhe njëkohësisht edhe të ngushëllosh viktimat, të prekurit e asaj periudhe të cilët kishin ato pasoja nga Sigurimi i Shtetit në radhë të parë dhe nga bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit”.
“Kjo është vetëm për të ardhur keq për Autoritetin, tashmë të manipulimit dhe kriminalizimit të dosjeve. Sepse ata e dinë më mirë se kushdo se çfarë ka, çfarë s’ka, se sa e vërtetë dhe sa e manipuluar është në ato dosje që thonë ata”, u shpreh Meta.
“Me një e-mail anonim, elektronik, që jam i sigurt kur të bëhet publik do gajaseni të gjithë na qenka zbuluar se na qenka një I.M, i cili, normalisht sipas lojërave dhe aludimeve të qëllimshme nga shkresa e Autoritetit dhe tashmë nga parlamenti dhe nga gjithë mediet e inceneratorëve që lëshojnë bomba që nga dje, u zbulua që pas 30 e ca vitesh I.M qenka ky njeri, i cili që në mars të 1992 është bërë deputet dhe i është nënshtruar të gjithë filtrave dhe të gjithë Komisioneve të të gjitha kohëve, që nga ai i z. Berisha, që nuk e kaloi gjysma e asaj partisë ku isha unë atëherë, dhe që tani është kthyer në një parti patronazhistësh dhe vërtet sigurimsash apo fuksash, e deri më pas në kohën e Fatos Nanos e në të gjitha kohët përfshirë edhe kohën e këtij Autoritetit të tanishëm”.
“Tani pse bëhet kjo? Çfarë i kushtonte këtij Autoriteti që qenka shqetësuar që të thërriste I.M nëse kishte jo bindjen, por edhe dyshimin se ai mund të ishte ky këtu që nuk është I.M, por është Ilir Rexhep Metaj, që ka emër, që ka babë dhe që ka mbiemër. Unë s’jam as President që të bëj një zhurmë se erdhi Presidenti, nuk jam as deputet që të kem ndonjë detyrim tek Kuvendi. Dhe pse u dashka bërë me urgjencë një ligj i posaçëm për këtë I.M se nuk i lejoka njeri ata që nuk paskan ditur gjë, dhe që s’paskan mundësi të verifikojnë dhe kontrollojnë. A ka njeri që e beson këtë gjë?”, theksoi Meta.
/j.p/r.e/























