TIRANË, 27 korrik/ATSH/ “Çiljeta do të jetë në shesh”. Me këto fjalë kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se mbrëmjen e 28 korrikut, në sheshin “Skënderbej” do të performojë edhe një tjetër artiste e njohur dhe e preferuar nga publiku.
Pas Ylli Limanit, Çiljeta është këngëtarja e dytë që kryeministri prezanton sot, si pjesëmarrëse në koncert.
“Bashkë në 28 korrik, me superkoncertin në sheshin “Skënderbej”, për dy ngjarje speciale: 100-vjetorin e lidhjes sonë me SHBA dhe lidhjen me Bashkimin Europian 100 vjet më pas”, shkruan kryeministri në rrjetet sociale.
Deri tani, kryeministri Rama dhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kanë njoftuar për pjesëmarrjen në koncert edhe të Fifit, Ylli Limanit, Alban Skënderajt, Xhensila Myrtezajt dhe Flori Mumajesit.
Shqipëria dhe Bashkimi Evropian mbajtën në 19 korrik Konferencën e Parë Ndërqeveritare mes tyre në Bruksel, që shënoi edhe hapjen zyrtare të bisedimeve për anëtarësim të vendit tonë në BE.
Për të kremtuar këtë ngjarje të shënuar si dhe me rastin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë e SHBA, në 28 korrik do të zhvillohet një megakoncert në sheshin “Skënderbej”.
/j.p/r.e/























