Ballina Ekonomi

Sako: Ka përfunduar ndërtimi i 265 godinave të reja

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako deklaroi sot në takimin e kryeministrit Edi Rama me krerët e bashkive mbi bilancin e bashkive, “të ardhurat e bashkisë së Durrësit janë rritur me 78 % nga 2014 deri në vitin 2021”.

Në 5 arritjet më të rëndësishme, ajo renditi, programin e rindërtimit, pasi u shpreh Sako, “Durrësi ka qenë një nga qytetet më të dëmtuara nga tërmeti”.

“Deri tani kanë përfituar grante riparimi 15 388 familje, grante rindërtimi 131 familje, ka përfunduar ndërtimi i 265 godinave të reja, është kryer ndërtimi i 269 apartamenteve. Janë kryer riparimet në ambientet e përbashkëta në 440 pallate. Janë kryer riforcime në 15 pallate dhe 32 shtëpi me dëmtime DS4. Si dhe është përfunduar sistemimi i territorit në njësinë administrative Ishëm”, tha Sako.

Ajo u shpreh “në proces në programin e rindërtimi kemi riparimin e 181 pallateve. Fillojmë brenda këtij muaji riforcimin e 67 pallateve DS4 dhe 69 shtëpive individuale. Me FSHZH kemi 6 godina pikësore në qytet që janë në fazën e zbatimit të punimeve dhe parashikojmë që brenda këtij vitit do të përfundojnë. Me donatorët e EBA, pra Abu Dhabi, kemi 86 godina në lagjen e re të Spitallës, e cila është në kushte shumë të mira pune dhe mendojmë që 15 pallatet e para mund të përfundojnë brenda këtij viti”.

Sa i përket infrastrukturës rrugore e cila ka qenë e lidhur me programin e rindërtimit, “kemi rreth 5900 metra linearë infrastrukturë rrugore në lagjen e re të Spitallës, rruga Miqësia dhe rruga “Azem Hajdari dhe gjelbërimi të cilat do jenë dy Bulevarde që do lidhin lagjen e re me pjesën tjetër të qytetit në mënyrw që të funksionojë si një pjesë e integruar me Durrësin. Dhe me Albanian Roots po ndërtojmë 44 shtëpi në Ishëm”.

Sa i përket infrastrukturës arsimore, Sako tha se, “bashkia e Durrësit ka 87 godina arsimore ku  33 janë realizuar me buxhetin e bashkisë apo MAS përgjatë periudhës 2017-2020. Ndërsa nga 2020-2022 kemi me programin e rindërtimin 37 objekte arsimore ndër të cilat 17 kanë përfunduar dhe 20 të tjera janë në kantiere ndërtimi, me fornde të qeverisë dhe me fondet e “EU4Schools””.

Sa i përket infrastrukturës rrugore, Sako u shpreh se, “kemi realizuar nga 2020 në 2022 rikonstruksionin e 26 akseve rrugore me 40 mijë përfitues. Ka përfunduar ndriçimi i 3 akseve rrugore me 5 mijë përfitues. Me FSHZH kemi përfunduar 13 akse rrugore vetëm në vitin 2021, ku kemi 20 mijë përfitues. Në proces për 2022-2023, parashikojmë të kemi 8 akte rrugore dhe një master plan të mirëfilltë ndriçimi duke u fokusuar tek qyteti i Durrësit dhe zona e plazhit në funksion të turizmit”.

Sa i përket menaxhimit të mbetjeve, Sako tha se, “një arritje e madhe është mbyllja e vend depozitimit të Porto Romanos dhe në këtë vend kemi një park të mirëfilltë. Brenda vitit 2021 është lidhur kontrata me landfillin e Sharrës. Kemi rritur buxhetin nga 400 milionë në 1 miliardë lekë”.

Sa i përket mjedisit, Sako tha se, “parashikojmë që brenda këtij viti dhe vitit që vjen të përfundojmë mbjelljen e 3411 pemëve”.

Sa i përket menaxhimit të sezonit turistik, Sako tha se, “në vitin 2021 numri i turistëve ka shkuar në 324.726 vizitorë”.

Sa i përket pastrimit të kanaleve ujitëse dhe kulluese, Sako tha se, “kemi realizuar deri tani rreth 131 km pastrim. Parashikojmë që brenda vitit 2023 të shtojmë dhe 31 km të tjerë”.

Për projektet e të ardhmes, Sako u shpreh se, “Durrësi ka projekte madhore si projekti i Marinës Turistike dhe ai i portit tregtar. Rehabilitimi i qendrës historike dhe hapja e arenës së plotë të Amfiteatrit të Durrësit  është një tjetër projekt i rëndësishëm. Kemi projekte në infrastrukturë rrugore dhe ato në makro, hekurudha që lidh Durrësin me Tiranën dhe Rinasin si dhe projekti i ujësjellësit dhe investime në rrjetin e shpërndarjes së energjisë”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak1390 raste të reja me COVID-19
Artikulli tjetërSveçla me delegacionin e SHBA-së: Kosova e përkushtuar në luftën kundër krimit dhe korrupsionit