TIRANË, 8 korrik /ATSH-I.Vata/ Policia e Durrësit vazhdon kontrollet e shtuara në vijën bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike për pushuesit.
Si rezultat i kontrolleve është finalizuar operacioni policor i koduar “Bregdeti i lirë”, për lirimin e hapësira në vijën bregdetare në zonën e Porto Romanos.
Në kuadër të planoperacionit “Bregdeti i lirë”, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake Durrës, kanë vijuar kontrollet në vijën bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike që zihen pa lejen përkatëse, nga subjekte të ndryshme që vendosin komplete me çadra dhe shezlongë.
“Si rezultat u bë lirimi i hapësirës publike në bregdetin e Porto Romanos, duke hequr 400 komplete me çadra dhe shezlongë që ishin vendosur pa lejen përkatëse. Në përfundim të veprimeve procedurale u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasit: B. C., 36 vjeç, banues në Tiranë; F. Rr., 27 vjeç, L. B., 24 vjeç, E. S., 46 vjeç dhe H. L., 35 vjeç, të katërt banues në Durrës”, thuhet në njoftim.
Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme.
/j.p/r.e/























