Ballina Aktualitet

Kreu i OSBE-së në Tiranë, Del Monaco paraqet raportin vjetor në Vjenë

TIRANË, 8 korrik /ATSH/ Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Vincenzo Del Monaco, paraqiti në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së, në Vjenë, raportin vjetor të punës së Prezencës në Shqipëri.

Në një intervistë të shkurtër ambasadori Del Monaco u shpreh se një ndër arritjet për të cilën jam më krenar është impakti i mbështetjes tonë për gazetarinë investigative në luftën kundër korrupsionit që është qartësisht një prioritet për Prezencën e OSBE-së dhe Shqipërinë”.

“Bazuar në qasjen tonë ne punojmë ngushtësisht me institucionet, si politike, dhe gjyqësore, me shoqërinë civile dhe median. Disa nga rastet korruptive më të rëndësishme u bënë publike nga gazetarët dhe tani po hetohen nga magjistratët shqiptarë, punën e të cilëve e besoj plotësisht”, tha Del Monaco.

Pas paraqitjes së raportit nga ambasadori Del Monaco pati reagime publike nga delegacionet e disa prej shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së.

Reagimi i Shqipërisë

Sot, në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së, ambasadorja Eglantina Gjermeni mirëpriti ngrohtësisht ambasadorin Vincenzo Del Monaco. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka qenë një partnere e besuar në progresin e vendit. Shqipëria mbetet e përkushtuar në rrugën e saj të reformave dhe të integrimit evropian.

Reagimi i Kryesisë polake të Radhës së OSBE-së

Përgëzojmë Prezencën e OSBE-së në Shqipëri për qasjen ndërdimensionale, që përfshin mbarë shoqërinë, në mbështetje të qeverisë së Shqipërisë në fushat me rëndësi strategjike.

Reagimi i SHBA-së

Ne e vlerësojmë shumë punën e zyrës suaj për të nxitur qeverisjen e mirë, për të forcuar sundimin e ligjit dhe sistemin e drejtësisë, për të promovuar respektin për të drejtat e njeriut, për të luftuar korrupsionin dhe për të rritur sigurinë në Shqipëri.

Shtetet e Bashkuara mbeten një mbështetëse e fortë e përpjekjeve për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore në të gjithë rajonin e OSBE-së.

Për më tepër, Shtetet e Bashkuara përshëndesin punën tuaj për të mbështetur sundimin e ligjit dhe për të promovuar respektimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Ambasador Del Monaco, faleminderit për mbështetjen e sektorit shqiptar të drejtësisë dhe konkretisht Gjykatës Kushtetuese. Shtetet e Bashkuara janë të kënaqura të kontribuojnë në programin tuaj për të forcuar kapacitetet e gjykatës dhe ne presim të shënojmë me ju dhe me Shqipërinë sukseset e projektit.

Ne përgëzojmë punën tuaj për të promovuar lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes në Shqipëri.

Reagimi i Italisë

Ambasadori Stefano Baldi pasi konfirmoi mbështetjen e fortë italiane për punën e OSBE-së në Shqipëri, në kuadër të një bashkëpunimi të fortë dhe të ngushtë dypalësh, të nxitur nga mbështetja e bindur e Italisë për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, kujtoi disa aktivitete dhe nisma projekti të promovuara nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe e mbështetur nga Italia, të cilat përfaqësojnë mirë vlerën e saj të shtuar në sektorë si: lufta kundër korrupsionit, trajnimi i operatorëve kombëtarë të përfshirë në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe promovimi i shtetit ligjor duke mbështetur aktivitetet e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë.

Reagimi i Mbretërisë së Bashkuar

Mbretëria e Bashkuar vlerëson punën e ekipit të OSBE-së në Shqipëri, përfshirë atë për reformën zgjedhore, lirinë e medias, antikorrupsionin dhe luftën kundër krimit të rëndë të organizuar dhe trafikimit.

Reagimi i Gjermanisë

Përgjatë viteve, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka kontribuar në mënyrë domethënëse për sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik në Shqipëri. Puna praktike e OSBE-së dhe e misioneve të saj në terren sjell ndryshim real për njerëzit në mbarë rajonin e OSBE-së.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakINSTAT: Inflacioni në qershor, 7.4 %
Artikulli tjetërKryemadhi: Të ndalen pagesat për inceneratorin e Tiranës