Ballina Aktualitet

Kryemadhi: Të ndalen pagesat për inceneratorin e Tiranës

TIRANË, 8 korrik /ATSH/ Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi kërkoi sot në një konferencë për mediet ndaljen sa më shpejt të kontratës së inceneratorit të Tiranës dhe pagesat nga buxheti i shtetit për inceneratorin e Tiranës.

“Vazhdoj të këmbëngul përsëri për të ndaluar sa më shpejt kontratën e inceneratorit e Tiranës dhe pagesat nga buxheti i shtetit për inceneratorin e Tiranës. Çdo ditë buxheti i shtetit iu heq buxhetit të qytetarëve të gjithë Shqipërisë 80 mijë euro në ditë dhe i kalon në xhepin e Klodian Zotos dhe të inceneratorit të Tiranës”, tha Kryemadhi.

“Dje dëgjuam në Parlament ministren e Financave të cilën pas denoncimit që ne bëmë për 24 kompani, të cilat kishin kryer evazion fiskal, ku një pjesë e tyre qarkullonin para fiktive, me fatura fiktive të inceneratorit të Tiranës, të inceneratorit të Fierit, të Elbasanit, të Klodian Zotos. Ministrja dje pranoi që qenkan 500 kompani të tilla, paska disa që qenkan dënuar disa që janë ende nën hetim. Unë kam vetëm një pyetje përsëri për Ministren e Financave? A ka audituar ndonjëherë Ministria e Financave inceneratorin e Elbasanit, të Fierit dhe të Tiranës? Në qoftë se që në 2018 këto kompani janë konstatuar nga drejtoria e hetimit tatimor që kanë kryer evazion fiskal apo fshehje të të ardhurave. A ka shkuar deri në fund hetimi tatimor ku është burimi qoftë në blerje apo në shitje?”, u shpreh Kryemadhi.

“Meqenëse inceneratori i Tiranës na doli në një deklaratë menjëherë pas denoncimit të kësaj skeme dhe më pas avokati i inceneratorit të Tiranës, Erion Veliaj, unë përsëri kam një pyetje për ta dhe për kryeministrin Edi Rama i cili është pronari i vërtetë i inceneratorit të Tiranës. Pse keni frikë nga transparenca? Pse nuk i tregoni qytetarëve shqiptarë se cili është investimi që është kryer në inceneratorin e Tiranës. Ajo çka shikojmë ne është vetëm mbjellje për jonxh. Ka disa kapanone dhe disa rrugë të ngushta asfalti. Pse ka frikë Edi Rama dhe avokati i inceneratorit të Tiranës të tregojnë transparencën”, theksoi Kryemadhi.

“Sot, qytetarët e Tiranës dhe jo vetëm të Tiranës, por të të gjithë Shqipërisë paguajnë për investimin 128 milionë euro, me të vetmin kusht që është 29 euro për ton. Nëse ky koncesion do të ishte i ndershëm, Edi Rama dhe inceneratorët nuk do të kishte problem që të bënin transparent investimin. E mbani mend komisionin hetimor ku thonte ‘kanë investuar paratë e tyre, 128 milionë euro’? Ku janë 128 milionë eurot e investuara? Transparencë po kërkojmë, transparencë. Jemi në vitin 2022 dhe vetëm transparenca e sqaron këtë gjë”, tha Kryemadhi.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKreu i OSBE-së në Tiranë, Del Monaco paraqet raportin vjetor në Vjenë
Artikulli tjetërFOKUS – Lavrov: Jo negociata nëse Perëndimi i kërkon Ukrainës të vazhdojë luftën