TIRANË, 7 korrik/ATSH/ Një metodë e re e trajtimit me radioterapi ka nisur të aplikohet me sukses në spitalin Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë, me rezultate shumë të mira për pacientët.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila theksoi se “teknika e re VMAT është plotësisht në përputhje me rekomandimet bashkëkohore të trajtimit të pacientëve dhe sot është bërë e mundur falë investimeve tona në teknologji dhe përgatitjes së mjekëve tanë të talentuar, ekipit dr. Orges Spahiu, dr. Bianka Shima, dr. Elvisa Kozma, fizikanes Rozana Buci, laborantët Andri Gorjani, Ernest Haklaj, Erges Muço, Ramadan Bara”.
Manastirliu theksoi se “më shumë se 10 mijë trajtime radioterapeutike janë ofruar falas dhe me cilësi të lartë pacientëve, në njësinë moderne të Radioterapisë në Spitalin Onkologjik në Qendrën Spitalore”.
Përgjegjësi i njësisë në radioterapi në Shërbimin Onkologjik, dr. Orges Spahiu, tha se teknika VMAT lejon dhënien e dozës në mënyrë të pandërprerë, ndërkohë që aparati rrotullohet rreth pacientit.
Sipas tij, VMAT është një hap tjetër cilësor në përmbushjen e misionit të vazhdueshëm.
Pacientja Belkize Nuha, tha se ”kur erdha doktor Orgesi më njohu me procedurën, më dha kurajo dhe sot jam më e qetë”.
/k.s/j.p/r.e/























