TIRANË, 6 korrik /ATSH-I.Vata/ Më 1 korrik, Republika Çeke mori Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian.
Me këtë rast, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla i ka dërguar një letër urimi presidentes të Dhomës së Deputetëve, Markéta Pekarová Adamová.
“Kam bindjen se nën lidershipin tuaj, Dhoma e Deputetëve do të përballojë me sukses dhe eficiencë sfidat e Bashkimit Evropian: mbështetjen e Ukrainës, sigurinë energjetike e kibernetike, rimëkëmbjen e ekonomisë dhe fuqizimin e institucioneve demokratike, në një botë të trazuar. Jetërsimi i këtyre objektivave do të kontribuojë për një Evropë që zhvillohet në paqe, më të sigurt, më të fortë, më solidare, me një ekonomi, sisteme mirëqenieje dhe institucione demokratike që u shërbejnë qytetarëve dhe paqes, sigurisë e stabilitetit. Objektivat e rëndësishëm të kësaj Presidence nuk mund të realizohen pa një vizion të qartë e pa hapa të vendosur drejt Ballkanit Perëndimor, por edhe pa kontributin e vendeve të rajonit tonë, si një vlerë e shtuar e kontinentit dhe e Bashkimit Evropian. Jam shpresëplotë se problemi i krijuar midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, nuk përbën më pengesë dhe zgjidhja e tij i ka hapur Këshillit Evropian rrugën për çeljen e negociatave. Kam besim se lajmi i mirë për dy vendet tona, që nuk mbrriti nga Samiti i Bashkimit Evropian i 23-24 qershorit, do të vijë shumë shpejt”, shkruan në letrën e saj kryetarja e Kuvendit, Nikolla.
/j.p/r.e/






















