ROME, 6 korrik /ATSH/ – Emri i saj është ”Cadillac One”, por e quajnë edhe ”bisha”.
”Arsyeja është e qartë. Makina e fundit e presidentit të SHBA është më e sigurta në botë”, shkruan focus.it.
Është në fakt një bunker i vërtetë me rrota, pasi mund të përballojë një sulm kimik, një sulm zjarri apo një minë.
Nga ana tjetër, siguria e presidentit amerikan ka qenë gjithmonë e para.
Dhe historia amerikane mëson se, përveç JFK-së, shumë presidentë amerikanë kanë qenë viktimë e sulmeve.
Pra, le të zbulojmë super teknologjinë e këtij modeli makine presidenciale.
Shoferi
Në krye nuk është padyshim një shofer, por një ushtar i trajnuar nga shërbimet sekrete amerikane për çdo rast, përfshirë nevojën për të kryer manovra.
Dritaret
Të përbëra nga pesë shtresa qelqi dhe polikarbonati, ato janë të afta t’i rezistojnë plumbave. Hapja e tyre nuk është e mundur, me përjashtim të atij të shoferit, por vetëm për një hapje prej tetë centimetrash.
Sistemet e komunikimit
Makina e presidentit është e pajisur me një telefon satelitor me një linjë direkte gjithmonë të hapur për zëvendëspresidentin dhe për Pentagonin. E gjithë kjo është e mundur falë një linje private që merr përsipër në rast të mungesës së sinjalit nga makina e procesionit presidencial.
Dyert
Të blinduara dhe me trashësi më shumë se 20 centimetra, më shumë se dyfishi i një makine normale.
Siguria
Pavarësisht sigurisë që ofron ky bunker me rrota, presidenti në makinë ka edhe një çantë të ndihmës së parë që përfshin një qese gjaku (përputhshme me të tijën) në rast se nevojitet transfuzion.
Shasia
Pjesa e poshtme e bishës është e pajisur me pllaka çeliku, të afta për të siguruar mbrojtje për pasagjerët edhe nga shpërthimi i një mine ose nga hedhja e një granate nën makinë.
Gomat
Këto goma janë në gjendje t’i rezistojnë shpimeve dhe prerjeve dhe, nëse kjo nuk do të mjaftonte, rripat e çelikut do t’i lejonin shoferit të ngasë edhe nëse gomat shkatërroheshin plotësisht.
Në pjesën e përparme të makinës ka edhe dy kamera infra të kuqe që lejojnë drejtimin, nëpërmjet ekranit, edhe me fenerët e fikur dhe në errësirë absolute./ /os/















