TIRANË, 30 qershor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se rezoluta e Srebrenicës do të votohet në Kuvendin e Shqipërisë më 7 korrik.
Në një prononcim për mediet, Balla theksoi se “përmes diplomacisë parlamentare dhe komunikimit zyrtar kemi ftuar përfaqësues zyrtarë të Bosnjë-Hercegovinës që të jenë prezentë në këtë moment të rëndësishëm, seanca do të zhvillohet më 7 korrik për arsye që lidhen me moszhvillimin e kësaj seance në 11 korrik, që lidhet me festën e Kurban Bajramit”.
“Solemniteti i kësaj seance ka rëndësi të veçantë duke shtuar këtu faktin që Shqipëria është anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit në OKB. Në dokument theksohet qartë qëndrimi i qeverisë shqiptare për çdo formë genocidi dhe është shumë e rëndësishme të kuptojmë që rezolutat janë një dokument zyrtar që tregojnë dinjitetin e një vendi, një kombi e një shteti. Dokumenti është punuar nga ekspertët më të mirë”, nënvizoi Balla.
Më tej Balal u shpreh se “në asnjë moment Kuvendi i Shqipërisë nuk do të lejohet të përdoret nga axhenda personale të individëve të caktuar, të cilët me çështje të një rëndësie të madhe, siç është për ne Kosova, të luajnë për kredibilitet apo përfitime personale. Ne do vazhdojmë të ecim me një axhendë shumë komplekse”.
Balla bëri të ditur se në ditët në vijim do të ketë një tjetër dokument që lidhet me luftën dhe krimet në Kosovë, që është një dokument shumë kuptimplotë për të sqaruar një herë e përgjithmonë gjithçka që lidhet me luftën në Kosovë dhe për të ngritur lart vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pas përpjekjeve të herëpashershme që janë bërë.
Sipas tij, ka pasur individë të politikës shqiptare që kanë hedhur baltë mbi UÇK-në.
“PS ka mbështetur 11 rezoluta dhe deklarata, në 2 prej të cilave është përcaktuar qartë dënimi i gjenocidit serb në Kosovë, por kurrë nuk do të lejoj që ata që kanë mbështetur makinërinë e luftës me naftë kontrabandë, të kërkojnë të lajnë fajet e tyre me rezolutat, prandaj duroni. Në ditët në vijim do të keni dhe dokumentin tjetër e do ju përgjigjem dhe atë ditë”, tha Balla.
Me miratimin e kësaj rezolute javën e ardhshme, 11 korriku do të shpallet Dita e Përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë.
/k.s/r.e/























