TIRANË, 24 qershor /ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi ka reaguar sot lidhur me shqetësimet e maturantëve pas provimit të biologjisë, duke i siguruar ata se për çdo rast do të merren masat e nevojshme.
Në një status në rrjete sociale, Kushi ka theksuar se shqetësimet e maturantëve pas provimit të sotëm të biologjisë po i ndjek me shumë vëmendje.
“Të dashur maturantë, i kam marrë të gjitha mesazhet tuaja dhe i kam ndjekur me vëmendje shqetësimet në lidhje me testin e biologjisë. Më poshtë gjeni linkun me skemën e vlerësimit të zgjidhjeve të publikuar nga QSHA dhe ndërkohë po konsultohemi me mësues dhe ekspertë të fushës për të vlerësuar cilësinë e testit”, shkruan Kushi.
Ministrja thekson se, “për çdo rast, ju sigurojmë që do të marrim të gjitha masat e nevojshme që ju të vlerësoheni sipas meritës dhe nivelit të arritjeve”.
/r.e/























