TIRANË, 4 qershor /ATSH/ Presidenti aktual Ilir Meta uroi pasardhësin e tij në këtë detyrë Bajram Begaj i cili u zgjodh sot nga Kuvendi.
“Urime Presidentit të zgjedhur sot nga Kuvendi i Shqipërisë, z.Bajram Begaj!”, shkruan Meta në një postim në rrjetet sociale.
Bajram Begaj u zgjodh sot Presidenti i ri i Republikës me 78 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim nga Kuvendi i Shqipërisë.
83 deputetë të Kuvendit votuan në seancën e sotme plenare në raundin e katërt për të zgjedhur Presidentin e ri, i propozuar me firmat e 37 deputetëve të Partisë Socialiste.
Begaj pritet të marrë detyrën e re më datë 24 korrik, ditë kur mbaron mandati i Presidentit në detyrë të Republikës, Ilir Meta.























