TIRANË, 18 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka folur në një intervistë për gazetën prestigjioze italiane të sportit “Tuttosport” në lidhje me finalen e UEFA Conference League mes Romës dhe Feyenoord që mbahet më 25 maj në Tiranë.
Rama u shpreh se në Shqipëri bëhet tifozllëk për Romën edhe për faktin se është skuadra e vetme që mban lart flamurin e futbollit italian.
“Në radhë të parë përshëndes të gjithë juventinët. Kërkoj ndjesë, por këtu në Shqipëri të gjithë bëjmë tifo me Romën. Për fat të keq, është ende Roma ajo që mban lart flamurin e futbollit italian”, u shpreh Rama në një videomesazh.
“Në një vit ku gjërat nuk kanë shkuar mirë për futbollin italian, Shqipëria do të bëjë çmos që ai flamur të ngrihet në ballkonin më të lartë të Evropës, me një kupë. I përshëndes të gjithë lexuesit e “Tuttosport”, që do të gjejnë nesër në gazetë një intervistë timen mbi finalen e Conference League në Tiranë.
Dhe përfitoj që t’i them të gjithë romanistëve që ju presim krahëhapur në një nga stadiumet më të bukura të Evropës për të mbështetur Romën. Forca Roma, forca Italia. Dhe forca Juventus, por vitin tjetër”, u shpreh Rama. /j.p/























