TIRANË, 14 maj /ATSH/ Fondi i Teatrit për të Rinj është një nga ato raste të shumta iniciativash të Ministrisë së Kulturës, në përputhje me misionin dhe politikat mbi nxitjen, promovimin dhe krijimin e hapësirave mbështetëse për skenën e pavarur artistike, e veçanërisht në fushën e teatrit.
“Përmes këtij fondi prej 10 milionë lekësh, në vitin e dedikuar të Tiranës si Kryeqytet i Rinisë, ne synojmë të nxisim dhe të zgjerojmë hartën kulturore, duke e shtrirë gjeografikisht këtë fond; duke krijuar lëvizjen teatrore në bazë të rajoneve nga jugu në veri, në një formë bashkëprodhimi me teatrot e rretheve; duke ofruar mundësinë që teatri si zë i së vërtetës po shkon në të gjithë hartën tonë; duke aktivizuar krijuesit dhe interpretuesit e rinj dhe adresuar ata të punojnë dhe sigurojnë mbarëvajtjen jo vetëm në infrastrukturën e në teatrit në Tiranë, por edhe në Korçë, Shkodër, Vlorë, Durrës, Fieri, Elbasani edhe Pukë”, tha ministrja e Kulturës, Elva Maragriti.
Projektet përfituese nga ky fond do të realizohen nën kujdesin e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, ndërsa Teatrot e rretheve do të mbështesin projektet e këtij fondi, përmes logjistikës teatrore.
Në këtë fond ka pasur një numër të lartë propozimesh, ku kanë qenë plot 39 të tilla , prej të cilave janë zgjedhur nga Bordi Artistik i TKEKS 16 projekte fituese ku 7 janë regjisore vajza dhe 9 regjisorë djem.
Një pikë tjetër e rëndësishme në këtë thirrje ka qenë edhe promovimi dhe vënia në skenë e dramaturgjisë shqiptare përveç asaj të huaj, për të mos ngritur dorën tek regjisorët, pse nuk zgjedhin dramaturgjinë tonë.
Prej 16 projekteve që do të vihen në skenë, artistët e rinj kanë propozuar 8 pjesë të dramaturgjisë shqiptare dhe 8 të dramaturgjisë së huaj.
Shpërndarja gjeografike e projekteve është: 6 në Tiranë; 2 në Korçë; 2 në Durrës, 2 në Fier, 1 në Elbasan, 1 në Shkodër, 1 në Pukë dhe 1 në Vlorë.
Në hartimin e thirrjes u propozua një kriter që veprat të kenë deri në 4 aktorë dhe nëse e përkthejmë në gjuhë shifrash do të angazhohen dhe do të krijojnë rreth 64 aktorë dhe 16 regjisorë, në një numër total prej 81 krijuesish pa marrë parasysh në këtë shifër edhe krijues të tjerë si skenografë, kostumografë etj.
Ky numër i konsiderueshëm dhe i domosdoshëm artistësh në një kohë kaq të shkurtër për krijimin e një repertori të tillë të prodhimit teatror, do të krijojë një hapësirë për zhvillim audicionesh, ngritje kapacitetesh, konkurrimi dhe gare midis artistëve të rinj.
Në përfundim të punës për të gjitha veprat, do të organizohet një javë e dedikuar festivalit të teatrit për të rinj, këtu në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, duke e finalizuar me ndarjen e çmimeve për të gjitha kategoritë pjesëmarrëse, nga një juri profesioniste.
Fituesit e “Fondit të teatrit për të rinj” janë:
- Fritz Selmani – “Tregtar flamujsh”- dramaturgji shqipe – Shkodër
- Devis Bejleri – “Pse nuk qëndron për mëngjes” – drame angleze – Fier
- Ajlin Petrela – “Madhështia e marrëzisë” – dramë shqipe- Korçë
- Marsel Rupi – “Nina”- dramë franceze – Durrës
- Marsel Greva – “Koncerti” – dramë shqipe- Tiranë
- Ervis Saliasi – “Pasaporta” – dramë shqipe – Tirane ( ose Elbasan)
- Kriks Dumo – “Emigrantët” – dramë Polake – Vlorë
- Ina Morina – “Muji dhe Halili” – dramë shqipe – Tiranë
- Franceska Hysi – “Misto” – dramë shqipe – Tiranë
- Alba Shtembari – “Rini dhe çmenduri” – dramë angleze – Fier
- Xhuliano Brisku- “Kolonel Zog” – dramë Bullgare – Durrës
- Kiara Gjergji – “Lojëra në oborrin e pasëm” – drame izraelite – Pukë
- Sara Smaja – “Elektroshok” – drame shqipe – Tiranë
- Senela Skenderasi – “Kam frikë” – koreodramë – Durrës
- Blendi Arifi – “Paniku” – dramë finlandeze – Tiranë
- Silvio Goskova – “Kjo, rinia jonë” – dramë austriake – Korçë





















