Ballina Flash

Operacion kundër lojërave të fatit në Tiranë, sekuestrohen 8 makineta

TIRANË, 6 maj /ATSH/ Policia e Tiranës finalizoi operacionin policor të koduar “Gaminator 3”, për goditjen e veprimtarisë së paligjshme në fushën e lojërave të fatit.

Gjatë operacionit janë sekuestruar, në ambientet e një lokali, 8 makineta që përdoreshin për lojëra fati. Gjithashtu është shpallur  në kërkim pronari i tyre, i cili kishte vendosur në dispozicion lokalin, për ushtrimin e aktivitetit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.

Policia e Shtetit njoftoi sot se, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të kontrolleve të ushtruara në lokale dhe ambiente të ndryshme, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të ushtrimit të lojërave të fatit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin “Gaminator 3″.

Në kuadër të këtij operacioni u bë shpallja në kërkim e shtetasit:  S. B., 59 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin në përdorim nga ky shtetas, në zonën e quajtur ”Selvia”, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 8 makineta që përdoreshin për lojërat e fatit, teksa vijon puna për kapjen e shtetasit S. B.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakUKRAINË – Gjermania furnizon ushtrinë vendase me shtatë obusë vetëlëvizës
Artikulli tjetërPunimet në hyrjen juglindore të Tiranës, Rama: Lehtësohet ndjeshëm trafiku