Ballina Flash

Bashkia Memaliaj emëron dy rrugë me emrat e Dëshmorëve të Policisë

TIRANË, 4 maj /ATSH/ Bashkia e Memaliajt, në nderim të kujtimit të Dëshmorëve të Policisë së Shtetit, emërtoi 2 rrugë të kësaj bashkie, me emrat e dy Dëshmorëve, Ilirjan Kalemi dhe Kastriot Çiçi.

Ceremonia u zhvillua në ambientet e bashkisë Memaliaj, ku morën pjesë përfaqësues nga pushteti vendor, familjarë të Dëshmorëve dhe drejtues të Komisariatit të Policisë Tepelenë.

Në këtë ceremoni u vlerësua vepra heroike dhe akti sublim i 2 Dëshmorëve të Policisë së Shtetit.

Kryetari i bashkisë, Gjolek Guci ka përgëzuar nismën e ndërmarrë nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano i cili i ka kushtuar një rëndësi të veçantë nderimit të kujtimit të Dëshmorëve të Policisë së Shtetit, me propozimin për të emërtuar rrugët e qytetit, me emrat e tyre.

Gjithashtu, shefi i Komisariatit të Policisë Tepelenë ka falënderuar drejtuesit e pushtetit vendor, për bashkëpunimin e treguar për emërtimin e 2 rrugëve në territorin e kësaj bashkie, me emrat e Dëshmorëve të Policisë së Shtetit, Ilirjan Kalemi dhe Kastriot Çiçi, të cilët do të mbeten përjetësisht shembull frymëzimi për brezat e rinj.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPromovimi i sportit për të rinjtë me aftësi ndryshe, nënshkruhet marrëveshja
Artikulli tjetërCOVID-19 – Pekini zgjat kufizimet kundër virusit