TIRANË, 24 prill/ATSH/ Besimtarët ortodoksë në të gjithë vendin kremtojnë sot festën e Pashkës. Në këtë ditë feste për besimtarët ortodoksë nuk mungojnë as mesazhet e urimit nga politika dhe përfaqësitë ndërkombëtare në vend.
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi uroi paqe për të gjithë.
“Pashkë të gëzuara dhe paqe për të gjithë. Drita e Shenjtë që besimtarët ortodoksë kanë shpërndarë në të gjithë vendin, uroj të bekojë dhe ndriçojë përgjithmonë familjet, komunitetet e tyre, e me to, të gjithë Shqipërinë tonë. Le të kujtojmë gjithmonë mësimin prej shembullit të Krishtit, se vetëm dashuria mes njëri-tjetrit është e gjithëpushtetshme mbi të keqen dhe rruga e duhur drejt paqes. Për shumë vjet Pashkët të gjithëve! Krishti u Ngjallë! Vërtet u Ngjallë”, thuhet në mesazhin e urimit.
Edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara, në Tiranë përcolli sot një mesazh urimi për të gjihtë besimtarët ortodoksë.
“Gëzuar Pashkën Ortodokse nga të gjithë ne në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë! Ju urojmë të gjithëve shpresë dhe bukurinë e pranverës!”, thuhet në mesazhin e urimit. /j.p/























