Ballina Aktualitet

Nano: Ashpërsim i masave ndaj atyre që neglizhojnë luftën ndaj kultivimit të bimëve narkotike

TIRANË, 22 prill /ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, gjatë takimit rajonal të zhvilluar paraditen e sotme, për marrjen e masave për parandalimin e kultivimit të kanabisit, ka kërkuar nga drejtuesit e strukturave vendore, zero tolerancë ndaj kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Nano ka theksuar se do të jetë shumë i ashpër ndaj cilido që do të tregojë neglizhencë apo më keq akoma, do të lejojë dhe do të bëhet palë me ata persona që tentojnë të kultivojnë bimë narkotike.

“Në territoret ku do të konstatohet kultivim i bimëve narkotike dhe struktura vendore e Policisë nuk ka informacion, por informacioni është siguruar nga qendra apo agjenci të tjera të zbatimit të ligjit, masat ndaj drejtuesve të strukturave vendore do të jenë shumë të ashpra”, theksoi ai.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit falënderoi ministrin Çuçi për mbështetjen, dhe e siguroi se Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht dhe qartësisht e orientuar në përmbushjen e prioriteteve.

I pyetur gjatë prononcimit për medien, për ndryshimet në kupolën e Policisë së Shtetit, Nano tha se, “ndryshimet nuk bëhen me faza, në fakt. Ndryshimet bëhen për të rritur performancën e Policisë së Shtetit, për të kërkuar edhe më shumë rezultate nga drejtuesit e rinj që vijnë apo marrin përsipër apo angazhohen dhe urdhërohen për të marrë detyra të caktuara. Por, sa herë do të ketë nevojë, Policia e Shtetit do të ketë ndryshime, me qëllimin e vetëm për të arritur ato rezultate dhe për të arritur ato objektiva që ne presim”.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPOLONI – Morawiecki: Rusia po minon sigurinë energjetike dhe ushqimore
Artikulli tjetërMoti i keq, vonohet trageti “AF Marina” i linjës Ankona-Durrës