TIRANË, 12 prill/ATSH/ Një kompleks i bukur rezidencial me gjithë infrastrukturën e nevojshme komunitare ka marrë tashmë jetë në Thumanë, në kuadër të Programit të Rindërtimit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lagjja e re në Thumanë, e pajisur me terrene sportive dhe gjithë infrastrukturën e nevojshme, krahas shtëpive dhe pallateve të reja.
“Thumana tani”, tha Rama ndërsa publikoi videon, ku shihen fëmijët duke luajtur në terrenet e reja sportive.
Programi i Rindërtimit në Thumanë përfshin ndërtimin e 155 banesave individuale dhe 14 pallateve me 278 apartamente.
Po ashtu, Thumana ka tashmë një infrastrukturë moderne me shëtitore, terrene sportive dhe hapësira të gjelbra.
Në Thumanë janë 16 ha truall ndërtimi dhe 37 426 m2 infrastrukturë rrugore. Po ashtu janë 3456 m2 ndërtim në objekte publike, shkollë, çerdhe, qendër shëndetësore, qendër komunitare, si dhe 46 148 m2 hapësira publike, parqe, hapësira sportive dhe 408 vendparkime.
/m.m/r.e/























