TIRANË, 28 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama vizitoi sot disa nga familjet përfituese të apartamenteve që u përuruan sot në Manzë të Durrësit.
I shoqëruar edhe nga zv/kryeministri dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Arben Ahmetaj dhe kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, Kryeministri Rama pa nga afër ambientet e reja të shtëpive në Manzë.
“Pas tërmetit mijëra e mijëra familje janë kthyer në shtëpi më të sigurta, më të bukura dhe shtëpi më të mira se ato që humbën”, tha në ceremoninë e përurimit Rama.
Lagjja e re në Manzë me 230 apartamente ofron standardet më bashkëkohore të sigurisë dhe cilësisë në ndërtim, me hapësira të bollshme banimi, zonë të gjelbëruar, trotuare dhe ndriçim.
Shumë shpejt në zemër të lagjes do të ndërtohet edhe kopshti dhe shkolla 9-vjeçare.
/k.s/a.a/r.e/























