Ballina Aktualitet

Meta dekreton me shpallje tre ligje

TIRANË, 28 mars/ATSH – I. Vata/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dekretuar sot me shpallje ligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin Evropa Krijuese, si dhe dy ligje për marrëveshjen Shqipëri-Kosovë për për sigurime shoqërore dhe për rregullat e regjimit të trafikut lokal të kufirit.

Institucioni i Presidencës njofton se Presidenti Meta dekretoi  Ligj nr. 22/2022 “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin Evropa Krijuese (2021-2027)”.

“Aderimi i Republikës së Shqipërisë në Programin “Evropa Krijuese: krijon një dritare të re, që u mundëson të drejtën subjekteve juridike të së drejtës shqiptare, të cilët operojnë në fushën e kulturës e artit, të aplikojnë dhe të marrin pjesë në aktivitetet e Programit Evropa Krijuese (2021-2027), duke përfituar mbështetje financiare, ndërvepruar dhe shkëmbyer praktikat më të mira me aktorë të tjerë të fushave prioritare të këtij programi në nivel evropian”, argumenton Presidenca.

Po ashtu, Presidenti dekretoi ligjin nr. 23/2022 “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës për sigurime shoqërore”.

“Krijimi i mundësive të përfitimit të pensioneve nga shqiptarët që jetojnë e punojnë në Kosovë, si dhe për shtetasit kosovarë, të cilët vijnë për të punuar në Shqipëri, është i vonuar. Mes Kosovës dhe Shqipërisë, nuk duhet të ketë asnjë barrierë që pengon qytetarët nga të dy anët e kufirit, të përfitojnë nga skemat e mbrojtjes shoqërore, duke respektuar parimin e trajtimit të barabartë, me synimin parësor për mirëqenien më të lartë dhe trajtimin më të mirë të tyre”, thekson Presidenca.

Gjithashtu, Presidenti dekretoi ligjin nr. 24/2022 “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës për rregullat e regjimit të trafikut lokal të kufirit”.

“Miratimi i kësaj marrëveshjeje me Republikën e Kosovës është vetëm hapi i parë drejt thjeshtëzimit e lehtësimit të procedurave dhe të masave të lidhura me regjimin e trafikut kufitar lokal e të lejeve për këtë qëllim përgjatë kufirit. Për të mundësuar realisht lehtësimin e qarkullimin e banorëve të zonave kufitare, nevojitet që autoritete shqiptare të marrin pa vonesë masa për nxjerrjen e akteve rregullatorë në zbatim të marrëveshjes, duke shmangur çdo lloj burokracie”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama viziton shtëpitë e reja në Manzë, Durrës
Artikulli tjetërSHKUP – MV shpall ”persona non grata” pesë diplomatë rusë