Ballina Bota

VARSHAVË – Polonia dëbon 45 diplomatë rusë të dyshuar për spiunazh

VARSHAVË, 23 mars /ATSH-PAP/ – Ambasadori rus në Poloni, Sergei Andrejev është thirrur në Ministrinë e  Jashtme polake, ku pritet t’i komunikohet largimi nga vendi i 45 diplomatëve rusë, sipas Ministrisë së Brendshme.

Faqja e internetit Onet.pl raportoi se autoritetet polake kishin marrë një vendim për të dëbuar rreth 40 diplomatë rusë për aktivitete që nuk janë në përputhje me statusin e tyre diplomatik.

Onet.pl shkroi se lista e diplomatëve që sipas autoriteteve polake  kryen aktivitete në Poloni në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike, përmban rreth 40 emra, përfshirë personelin e ambasadës ruse në Varshavë.

Drejtori i Departamentit të Sigurisë Kombëtare të Polonisë, Stanislaw Zaryn, theksoi se ”Agjencia e Sigurisë së Brendshme (ABW) kishte përpiluar një listë me 45 persona që kryenin aktivitete të inteligjencës në Poloni nën mbulim diplomatik” dhe se ”kreu i ABW kishte kërkuar dëbimin e tyre urgjent nga vendi”.

”Këta janë persona që operojnë në kuadër të statusit diplomatik, por në fakt kryejnë aktivitete sekrete kundër Polonisë. Në këtë listë, e cila i është dërguar ditëve të fundit Ministrisë së Jashtme, ka oficerë të shërbimeve speciale të Federatës Ruse, por edhe njerëz që bashkëpunojnë me ta”, theksoi Zaryn në një konferencë për shtyp.

Ai shtoi se hetimet e ABW kishin zbuluar se shërbimet sekrete ruse po vepronin kundër Polonisë “në një mënyrë gjithnjë e më ofenduese dhe agresive”./  /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGripi i shpendëve, Gjeçi: Rastet e konfirmuara në Durrës, Dibër dhe Korçë
Artikulli tjetërPolicia e Korçës, procedon 516 të tjerë drejtues mjetesh