Ballina Flash

Kurti i kërkon kancelarit austriak të shtyjë përpara vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën

PRISHTINË, 18 mars /ATSH/ Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim kancelarin e Austrisë, Karl Nehammer, të cilit ka thënë se i ka kërkuar të shtyjë përpara vendimin për liberalizimin e vizave për kosovarët. E kancelari austriak ka thënë se janë të interesuar të përshpejtojnë edhe procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, për çka ka theksuar se duhet përfshirë edhe Gjermania.

Pas ceremonisë së pritjes shtetërore dhe takimit në kryeministri, Kurti dhe mysafiri i tij nga Austria, kanë folur para gazetarëve për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Bashkim Evropian.

“Theksova rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe përshpejtimin e axhendës së integrimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Nga kancelari kërkova që Austria të shtyjë përpara vendimin për liberalizimin e vizave në Këshillin evropian të Bashkimit Evropian sepse ky është një vendim i vonuar i cili po dëmton jo vetëm qytetarët por edhe bizneset dhe ekonominë e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Kancelari ka thënë se Austria do të vazhdojë të jetë urëlidhëse për Kosovën në Bashkimin Evropian.

Ai ka shtuar se Gjermani, si shtet mik i Kosovës, duhet përfshirë në procesin për përfshirjen e Kosovës në familjen evropiane.

“Është e rëndësishme që Austria të jetë edhe më tej urë lidhëse për Bashkimin Evropian. Ne jemi duke zhvilluar biseda të mira se si mund ta përshpejtojmë procesin dhe prandaj do të jetë e rëndësishme që edhe Republikën Federale të Gjermanisë ta përfshijmë në rend të madh sepse edhe ata janë miq të Kosovës, që ta përshpejtojmë anëtarësimin në BE dhe shpresojmë që së bashku do të ja dalim sepse për Austrinë Ballkani Perëndimor është një pikë gjeostrategjike dhe gjeopolitike e rëndësishme, sepse ne kemi lidhje historike me njëri tjetrin nëse shikojmë pas mirëpo është e rëndësishme që edhe në të ardhmen të jemi të lidhur së bashku dhe ta krijojmë të ardhmen tonë se bashku dhe për këtë nevojitet që Kosova të jetë brenda Bashkimit Evropian, në familjen e Bashkimit Evropian dhe duhet perspektiva të mëdha dhe problemet që i kemi për shkak të së kaluarës, dhe drejtuar nga e ardhmja duhet t’i shikojmë dhe fqinjët serb dhe t’i zgjidhim  këto probleme së bashku”, tha kancelari.

Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer ka zhvilluar një takim dhe me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS- Biden&Xi: Lufta nuk është në interesin e askujt
Artikulli tjetërFOKUS – Gjermania në kërkim të marrëveshjeve për gazin me vendet e Gjirit