Ballina Aktualitet

Rama: Nuk heqim taksat mbi naftën, janë të ardhura që u kthehen njerëzve në nevojë

TIRANË, 15 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, gjatë një takimi me përfaqësues të biznesit të vogël se “nuk do të heqim taksat e vendosura te çmimi i naftës që sjellin të ardhura të rëndësishme në buxhet, të cilat i rikthehen më pas njerëzve që janë më pak të mbrojtur”.

Duke folur për çmimin e naftës, Rama tha se Bordi vendosi sot çmimin 211 lekë, sepse ka rënë në bursë. “Ndërkohë po të shikoni çfarë po ndodh në vendet e tjera, ka vende që e kanë naftën me 2.2 deri në 2.8 euro. Kjo për ata që thonë se në Shqipëri është nafta më e shtrenjtë”, tha Rama.

Kryeministri iu përgjigj edhe pretendimeve të ngritura se ne jemi vend prodhues i naftës, ndaj dhe duhet ta kemi më lirë.

“Ne kemi një naftë të rëndë, që eksportohet kryesisht për bitum. Nëse naftën tonë ne do ta rafinonim për të bërë benzinë apo diesel do të ishte kostoja shumë më e lartë sesa ajo e naftës së blerë. Është llogari e bërë kjo, sepse kemi bërë kaq shumë përpjekje për ta rivënë në punë dhe e kemi parë nga të gjitha kompanitë që kanë ardhur, që nuk ka interes të bësh rafineri këtu sot, nëse nuk ke kontrata për naftë importi”, tha Rama.

Kryeministri tha se është e vërtetë se në strukturën e çmimit të naftës ne kemi një barrë taksash. “Por vendet e tjera në rajon taksën e qarkullimit nuk e kanë aty. Ne e kemi aty dhe e paguan ai që e përdor më shumë makinën”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSHBA – Biden: Bashkëpunim me aleatët për popullin ukrainas
Artikulli tjetërRama: Kompensojmë rritjen e çmimeve për gjysmë milion individë