Ballina Bota

VARSHAVË – Harris: Mbështetje e plotë për Poloninë dhe aleatët e saj lindorë

VARSHAVË, 10 mars /ATSH-PAP/ – Shtetet e Bashkuara të Amerikës konfirmuan angazhimin e tyre ndaj Polonisë dhe bënë të qartë se presidenti rus Putin do të vuajë pasoja të rënda për veprimet e tij agresive, deklaroi kryeministri Mateusz Morawiecki, pas takimit me zëvendëspresidenten amerikane, Kamala Harris në Varshavë.

Kryeministri u takua me Harris gjatë vizitës së saj të shkurtër në kryeqytetin polak.

Pas takimit, Morawiecki shkroi në një postim në Twitter se ”vizita e sotme e zëvendëspresidentes amerikane Kamala Harris nuk është vetëm një konfirmim i partneritetit strategjik polako-amerikan, por mbi të gjitha bisedime shumë specifike për sanksionet kundër Rusisë dhe forcimi i krahut lindor të NATO-s”.

“SHBA konfirmojnë plotësisht detyrimet e tyre ndaj aleatëve dhe ndaj nesh dhe na kanë siguruar se Putini do të vuajë pasoja të rënda për veprimet e tij aggresive. Jam shumë i lumtur që SHBA ndan pikëpamjen e Polonisë për t’u bërë plotësisht e pavarur nga burimet energjetike ruse dhe se ishte një nga vendet e para në botë që vendosi një embargo ndaj tyre”, theksoi ai.

Gjatë bisedës me kryeministrin polak, zëvendëspresidentja Harris tha se ajo kishte ardhur në krahun lindor të NATO-s për të konfirmuar angazhimin e SHBA ndaj Polonisë dhe aleatëve të tjerë të NATO-s./   /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCOVID-19, MSHMS: 67 të infektuar dhe 1 humbje jete në 24 orët e fundit
Artikulli tjetërINSTAT: Paga mesatare, rritje me 8,4%