TIRANË, 10 mars/ATSH/ Paga mesatare mujore bruto gjatë tremujorit të katërt të vitit 2021 shënoi rritje prej 8,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, duke arritur 59.565 lekë.
Sipas raportit të publikuar nga INSTAT, gjatë tremujorit të katërt 2021, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në sektorin e aktiviteteve financiare dhe të sigurimit është 2,1 herë më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grup-aktivitetin e bujqësi, pyje dhe peshkim është 39,8 % më e ulët.
Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të katërt 2021, paga mesatare bruto për grup-aktivitetin e tregtisë, transportit, aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor, ka rritjen më të madhe prej 11,8 %, ndërsa rritjen më të vogël e ka aktiviteti i aktivitete të pasurive të paluajtshme, aktivitete shkencore, profesionale dhe teknike, aktivitete të shërbimeve administrative dhe mbështetëse prej 5,7 %.
Referuar INSTAT-it, gjatë tremujorit të katërt 2021, paga mesatare mujore bruto, për një të punësuar në grup-profesionin e menaxherëve është 71,8 % më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grupin e punëtorëve (profesione elementare) është 39,1 % më e ulët.
Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të katërt 2021, paga për grup-profesionin e punonjës të kualifikuar të bujqësisë pyjeve dhe peshkimit ka rritjen më të madhe prej 12,1 %, ndërsa për grup-profesionin e nëpunësve ka një rritje më të vogël, prej 2,9 %.
/a.a/r.e/














