Ballina Flash

AMA apel për OSHMA-të: Kujdes dezinformimin

TIRANË, 28 shkurt /ATSH/ Autoriteti i Mediave Audiovizive ka apeluar sot Ofruesve të Shërbimit Mediatik Audioviziv (OSHMA) të bëjnë kujdes me dezinformimin.

Në një deklaratë për mediet, AMA ka risjellë në vëmendje të OSHMA-ve detyrimet që rrjedhin nga ligji 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, Kodi i Transmetimit dhe akte të tjera nënligjore në fuqi.

AMA ka vlerësuar dhe vlerëson maksimalisht rolin dhe kontributin e redaksive audio/ audiovizive në mbulimin e ngjarjeve të aktualitetit mbi zhvillimet që po ndodhin në të gjithë botën dhe veçanërisht ato që lidhen me situatën në dhe përreth Ukrainës, thuhet në njoftim.

Gjatë ditëve të fundit, mediet prestigjioze ndërkombëtare kanë ngritur shqetësimin e tyre në raport me fenomenin e dezinformimit dhe pasojat që ai sjell në shoqëri.

AMA beson se edhe në këtë rast OSHMA-të do të kenë parasysh kërkesat etike dhe profesionale për t’i njoftuar dhe paraqitur lajmet e transmetuara në një mënyrë të vërtetë, të paanshme dhe objektive, përmes fact-checking dhe duke kontribuar për shmangien e dezinformimit dhe të keqinformimit.

AMA ju fton në mbajtjen parasysh të interesave më të larta të publikut, sikurse thotë edhe Ligji 97/2013, sipas të cilit, “ … veprimtaria e transmetimeve audiovizive siguron informim objektiv dhe të paanshëm të publikut, duke paraqitur në mënyrë të saktë faktet dhe ngjarjet, si dhe duke respektuar formimin e lirë të opinionit…”.

AMA ka pritshmëri maksimale se OSHMA-të do të forcojnë edhe më shumë lirinë e shprehjes, pluralizmin dhe pavarësinë editoriale në favor të shumëllojshmërisë dhe cilësisë së ofertës mediatike për publikun sipas parimeve më të larta të gazetarisë.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKIEV – Donacionet e kriptovalutave për Ukrainën në vlerën e 17 milionë dollarëve
Artikulli tjetërBasha: Të shqyrtohen propozimet e PD për uljen e TVSH-së dhe taksat mbi karburantin