TIRANË, 23 shkurt /ATSH/ Këshilli Drejtues i Institutit Parlamentar u konstituua në mbledhjen e parë të drejtuar nga kryetarja Etilda Gjonaj.
Në këtë takim morën pjesë edhe zëvendëskryetarja e këtij Këshilli Orojola Pampuri, drejtoresha e NDI në Shqipëri, Ana Kovacevic Kadovic, sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë Genci Gjonçaj, drejtori i Institutit Parlamentar, Elvin Gjevori, deputetë të ndryshëm, përfaqësues nga NDI si edhe pjesë nga stafi i Kuvendit të Shqipërisë.
Gjonaj në fjalën e saj, përshëndeti krijimin e këtij Këshilli dhe Instituti dhe u shpreh optimiste se do të lehtësojë gjithashtu, aktivitetet për edukimin, informimin dhe ndërgjegjësimin qytetar me qëllim forcimin e transparencës, qasjen në Kuvend etj.
Po ashtu, sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genci Gjonçaj, bëri një prezantim të punës që është bërë për ngritjen e këtij Instituti procesit të zgjedhjes së Drejtorit, hapat imediatë të radhës që janë plotësimi i vakancave dhe mentorimi i punonjësve të rinj, në mënyrë që struktura të vihet në funksion të plotë, hartimi i Rregullores së Brendshme të Institutit dhe planin strategjik zhvillimor të tij, të cilët do të miratohen nga Këshilli Drejtues etj.
Sekretari i Përgjithshëm, vuri në dukje se Instituti Parlamentar do të japë kontribut në forcimin e funksioneve përfaqësuese, legjislative dhe mbikëqyrëse të Kuvendit, duke ju siguruar deputetëve, komisioneve dhe stafit të Kuvendit informacion, kërkime dhe analiza të besueshme dhe të paanshme mbi legjislacionin, politikat publike dhe çështje të tjera që paraqiten në Kuvend.
Gjithashtu, Kovacevic Kadovic gjatë fjalës së saj në këtë takim theksoi se, ky shërbim i ri do të ketë mbështetjen e plotë të NDI nëpërmjet projektit PACEP.
Fjalë përshëndetëse në këtë takim mbajti edhe zëvendëskryetarja Pampuri si edhe Deputetja Pranvera Resulaj, të cilat vlerësuan ngritjen e këtij Instituti duke e konsideruar si një nismë të mirëfillte në shërbim të kërkimit parlamentar dhe gjeteve të reja, të nevojshme, për punën që bëhet në Kuvend nga deputetet dhe stafi i administratës. /j.p/























