Ballina Bota

SOFJE – Komisioni i përbashkët bullgaro-maqedon përshpejton ritmin e zgjidhjes së çështjeve bilaterale

SOFJE, 31 janar /ATSH-ANSA/ Komisioni i përbashkët historik për çështjet dypalëshe midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut synon daljen nga ngërçi dhe përshpejtimin e ritmit të punës”, deklaroi sot bashkëkryetari bullgar i komisionit, Anghel Dimitrov në një intervistë për “Bnt”.

“Në përgjigje të energjisë së re të marrëdhënieve bilaterale, ne kemi parashikuar më shumë dinamikë në punën tonë, deri në maj janë planifikuar tri takime”, tha Dimitrov.

Sipas tij, “deri tani nuk ka patur rezultate sepse ritmi normal i punës së komisionit pengohet nga hezitimi i kolegëve tanë për të pranuar se kemi një histori të përbashkët që fillon në mesjetë”.

Pavarësisht kërkesave nga pala maqedonase, përbërja e komisionit nga pala bullgare mbetet e njëjtë.

Krerët e sapoemëruar të qeverive të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, Kiril Petkov dhe Dimitar Kovacevski, janë takuar ditët e fundit në një atmosferë miqësore, duke dhënë shpresë se mund të shihet një qasje për normalizimin e marrëdhënieve të vështira dypalëshe, të rënduara nga një mosmarrëveshje mbi të kaluarën historike dhe identitetin kombëtar.

Dy kryeministrat shkëmbyen vizita dhe në Sofje u mbajt një seancë e përbashkët e dy qeverive. Sofja akuzon Shkupin për mosrespektim të Traktatit të Miqësisë dhe Fqinjësisë së Mirë të nënshkruar në vitin 2017, për shtrembërim të historisë, për shkatërrim dhe falsifikim të trashëgimisë historike dhe kulturore bullgare, për mosrespektim të të drejtave të pakicës bullgare dhe për nxitje të urrejtjes ndaj bullgarëve. Për këtë arsye, prej më shumë se një viti ka bllokuar fillimin e negociatave të anëtarësimit të Shkupit në BE. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Baza Ajrore e Kuçovës, peshë e re strategjike në skakierën e sigurisë evropiane
Artikulli tjetërEscobar: SHBA mbështet pavarësinë e Kosovës, dialogu të drejtohet nga BE