Ballina Aktualitet

Miratohen kriteret që duhet të plotësojë operatori i pajisjes PEI

TIRANË, 31 janar /ATSH/ Komisioni Rregullator shqyrtoi dhe miratoi sot projektvendimin “Për përcaktimin e kushteve dhe kritereve që duhet të plotësojë personeli i kualifikuar për përdorimin e pajisjes së identifikimit elektronik të votuesve në qendrën e votimit”.

Vendimi përcakton kushtet dhe kriteret që duhet të plotësojë shtetasi shqiptar që caktohet si operator teknik për përdorimin e pajisjes së identifikimit elektronik të zgjedhësve (PEI), procedurat e përzgjedhjes dhe të caktimit të operatorit teknik, si edhe përgjegjësitë e operatorit teknik gjatë ofrimit të shërbimit.

Pranimi i operatorëve teknikë bëhet në bazë të parimit të konkurrimit të hapur. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve shpall publikisht thirrjen për shprehjen e interesit nga shtetas të cilët janë të gatshëm të ofrojnë shërbimin si operator teknik për përdorimin e pajisjes së identifikimit elektronik të zgjedhësve në qendrën e votimit.

Operatorët teknikë votojnë pranë qendrës së votimit ku janë caktuar për të ofruar shërbimin. Për zgjedhjet e pjesshme të datës 6 mars 2022, operatorët teknikë votojnë pranë qendrës së votimit ku janë caktuar nëse janë pjesë e listës së zgjedhësve të bashkisë përkatëse.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNJU JORK – Rusia akuzon SHBA-në për nxitjen e histerisë për një luftë të mundshme në Ukrainë
Artikulli tjetërRama: Nuk do të ndalemi deri sa t’i japim fund kësaj marrëzie turpëruese