AMSTERDAM, 11 janar /ATSH-DPA/ Varianti Omicron po përhapet me shpejtësi në Holandë pavarësisht masës së izolimit, duke regjistruar një rekord të ri prej më shumë se 200,000 infeksione me Covid-19 gjatë shtatë ditëve të fundit.
Kjo shifër përfaqëson një rritje prej më shumë se 77 për qind gjatë javës së kaluar, sipas Institutit Kombëtar për Shëndetin Publik (RIVM).
Por rritja e numrit të rasteve me Omicron nuk është ndjerë ende në spitale. Numri i pacientëve me Covid-19 të shtruar në spitale është ulur, megjithëse rënia po ngadalësohet në krahasim me javët e mëparshme, sipas institutit. E njëjta gjë vlen edhe për vdekjet.
Pothuajse gjysma e infeksioneve të reja prekën personat midis moshës 15 dhe 29 vjeç.
Incidenca shtatë-ditore tani është 1,147. Ndërsa, në Gjermaninë fqinje shifra e infeksioneve për 100,000 persona në shtatë ditë është 387.9.
Holanda, me një popullsi prej rreth 17.5 milionë banorësh, për më shumë se tre javë ka qenë në izolim. Pritet që kjo masë të ngadalësojë përhapjen e variantit Omicron dhe të zvogëlojë presionin ndaj spitaleve. Në fund të javës, qeveria do të njoftojë vendimin për zgjatjen e masave kufizuese. //a.i/























