Ballina Aktualitet

Ligji i ri për Bashkëqeverisjen, mekanizëm kontrolli në duart e qytetarëve

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ligji i ri për Bashkëqeverisjen dhe platformën Antikorrupsion është një mekanizëm kontrolli në duart e qytetarëve”.

Në takimin e parë sensibilizues për ligjin e ri për Bashkëqeverisjen, që u organizua në Elbasan, Kryeministri Rama theksoi rëndësinë e ligjit të ri.

“Në këtë fazë të parë është e domosdoshme që ne t’u japim qytetarëve në dorë mundësinë që të kërkojnë hesap për shërbimin. Një nga shërbimet më problematike të Shqipërisë është ai i pronës, legalizimeve dhe marrja e titullit të pronësisë. Sot çdokush mund të bëjë aplikimin për titullin e pronësisë dhe legalizimin pa shkuar fare te Kadastra dhe në bazë të afatit të presin përgjigjen”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se “nuk jemi ende në fazën që edhe dokumentet e hipotekës dhe legalizimit të vijnë në kompjuter pa pasur nevojë për letër fizike, sepse është një proces që kërkon plotësim të gjithë bazës, aplikimi është plotësisht i mundur”.

Ndërkohë, Rama sqaroi se “nëse nuk vjen përgjigjja në afat për një aplikim të kryer sot me ligj, qytetari ka në dorë një mekanizëm që e vë menjëherë në lëvizje ligjërisht administratën për të kthyer përgjigje, duke përdorur platformën e bashkëqeverisjes”.

“Në kushtet kur është një mekanizëm i ri ligjor, kjo bën të mundur që çdo mosveprim dhe mosreagim në kohë nga ana e administratës të lërë gjurmën e vet. Por nëse deri dje kjo ishte një çështje e cila i mbetej thjesht qytetarit, sot kjo çështje menjëherë vë në veprim mekanizmin e kontrollit”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se “kjo është një çështje që në ligjin e ri përcaktohet si një përgjegjësi e administratës dhe ligji i ri përcakton sanksione financiare, veç atyre administrative për personat përgjegjës që nuk i janë përgjigjur në kohë një qytetari”.

“Nëse ty nuk të vjen përgjigjja në kohë sipas ligjit, ti e ke në dorë me ligj të vësh alarmin. Kjo menjëherë sa të vijë ligji në Kuvend, i cili u kthye nga Presidenti dhe qytetari kërkon me ligj direkt të drejtën e tij. Jo vetëm që do marrë të drejtën për atë shërbim që ka kërkuar, por po me ligj, zyra përgjegjëse sanksionohet financiarisht për dëmin që ka shkaktuar”, shtoi ai.

Po ashtu, Rama theksoi se “Shqipëria është në grupin e parë të vendeve në Evropë që ofron shërbime online”.

“Sot kemi një proces ku çdonjëri mund të disponojë nënshkrimin elektronik, dhe po ashtu 50 dokumente të nevojshme për qytetarët shkarkohen direkt nga kompjuteri apo telefoni me vulë elektronike dhe njihen nga të gjithë. Sot kemi një proces ku në nevojat e përditshme, për të marrë certifikata, dëshmi penaliteti apo dokumente për arsimimin e regjistrimin e fëmijëve, nuk është më e nevojshme të lëvizet nga shtëpia fare”, tha ai. /a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama merr dozën e tretë të vaksinës anti-COVID: Domosdoshmëri nga shqetësimi për Omicron
Artikulli tjetërPunonjësit e administratës, supermarketeve e qendrave tregtare me kartë vaksinimi deri në 4 janar