Rama merr dozën e tretë të vaksinës anti-COVID: Domosdoshmëri nga shqetësimi për Omicron

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama mori sot dozën e tretë të vaksinës anti-COVID në qendrën e vaksinimit të përqendruar në stadiumin “Air Albania”, ndërsa i bëri apel të gjithë qytetarëve të vaksinohen.

Në një prononcim për mediet, Rama tha se “doza e tretë e vaksinës anti-COVID, domosdoshmëri për të qenë më të mbrojtur gjatë dimrit, edhe në kushtet kur e gjitha bota është e shqetësuar për variantin e ri Omicron”.

“Bëra sot vaksinën e tretë me zgjedhje të rastësishme. Unë nuk e kuptoj dot se si në shekullin XXI nuk i besohet shkencës. Si ka mundësi që kjo të jetë një lojë dhe asnjë gazetë, asnjë televizion, asnjë kanal serioz informimi të mos flasë. I është mbyllur goja të gjitha medieve të botës nga Amerika në Australi e deri në Islandë dhe u është hapur goja atyre që nuk kanë lidhje me shkencën, humanizmin, me shëndetin publik. Po flasin për t’u vaksinuar të gjithë akademitë e botës dhe flet kundër vaksinash një lumë konspiracioni në Facebook dhe internet”, theksoi Rama.

Kjo, vijoi Rama, është skandaloze dhe e turpshme mbi të gjitha është të fyesh inteligjencën tënde që në vend t’i besosh shkencës, atyre që janë faktet përpara nesh. Vaksina nuk të mbron nga infektimi, por të mbron nga vdekja, e kalojnë në simptoma të lehta.

“Çfarë mund të thuhet tjetër sot përveç se vaksinohuni, vaksinohuni. Austria është mbyllur komplet, vendet e tjera po marrin gjithëfarëlloj masash kemi bërë çmos që të mos ngarkojmë psikologjikisht dhe të mos stresojmë sektorët e jetës në vendin tonë duhet të duhet të jemi të qartë që ne nuk mund ta lëmë këtë situatë në rrjedhje të lirë, sepse mbajmë përgjegjësi”, tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se, “ju them të gjithë atyre që janë nëpunës të këtij shteti të vaksinohen, sepse mund të vijë momenti që të ndalohen të shkojë në punë pa pasur kartelën e vaksinimit online. Po u ndaluan të shkojnë në punë nuk do të paguhen nga taksat e qytetarëve, sepse nuk duan të vaksinohen, U them të gjithë atyre që kanë të bëjnë në veprimtarinë e tyre me hapësira publike, me hapësira ku bëhet pazar me hapësira të mbyllura, sepse mund të vijë momenti që nuk mund të lejojnë të hyjnë në markete, u them edhe atyre që kanë dyqane të vaksinohet, sepse mund t’u mbyllet dyqani nëse nuk janë të vaksinuar. Nuk mund të rrezikojë pjesa më e madhe e popullsisë për shkak se pjesa tjetër i bën karshillëk shkencës, shëndetit të vet dhe familjarëve të vet”.

Më tej Rama tha se “është shumë e qartë nga gjithë çfarë po ndodh, aq më tepër sot kur e gjithë bota është e shqetësuar me versionin e ri, po bëhen analiza, po bëhen studime. Por përsëri është e sigurtë që vaksina mbron, të shpëton jetën”.

“Mesazhi sot është i qartë. Ne po ndjekim me shumë vëmendje të gjitha diskutimet me komitetin përkatës dhe duke parë se çfarë po ndodh rreth e rrotull është shumë e qartë, që për më tepër mund të vijë edhe vendimi që kush do të vijë në Shqipëri duhet të tregojë që është i vaksinuar dhe nuk do të lejohen të hyjnë të pavaksinuar, për të bërë pushime këtu”, tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se edhe studentët në universitete duhet të vaksinohen, sepse mund të vijë dita që nuk do të lejohen të hyjnë më të pavaksinuar në auditore.

I pyetur se kur Shqipëria do të bëhet si Italia, Franca apo shtete të tjera që pa kryerjen e vaksinës nuk mund të hyjnë në institucione publike, private, universitete, etj., Rama tha se, “këtë nuk e vendos unë, nuk e vendos qeveria, këtë e vendos Komiteti i Ekspertëve. Ne nuk do marrim vendime politike vetë”.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.