TIRANË, 11 nëntor/ATSH/ Bashkia e Tiranës ka nisur një aksion të madh për pastrimin e gjithë zonës së Bregut të Lumit, ku prej tri ditësh, mjetet e rënda së bashku me punëtorët po punojnë me intensitet për largimin e mbetjeve të hedhura pa kriter nga qytetarë të papërgjegjshëm.
Ky aksion i gjerë pastrimi do të vazhdojë edhe ditët në vijim gjer në pastrimin e plotë të zonës.
Qytetarët që jetojnë pranë zonës së njohur si Bregu i Lumit kanë shpëtuar tashmë prej përmbytjeve që pësonin thuajse pas çdo shiu. Ndërhyrja e bashkisë së Tiranës për rehabilitimin e gjithë kësaj zone me ndërtimin e skarpateve dhe pritave në gjithë gjatësinë e Lumit të Tiranës ka eliminuar përmbytjet.
Në tetor 2013, 513 familje të cilat jetonin në zonën e Bregut të Lumit u përmbytën, ndërkohë që pas punimeve nga administrata e re e bashkisë, pas vitit 2015, dalja e lumit nga shtrati është një histori e së shkuarës.
/k.s/a.a/r.e/






















