Ballina Flash

Aplikantët e nismës “Gati për Shqipërinë”, pjesë e administratës publike


TIRANË, 10 nëntor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot dy vendime për të përfshirë aplikantët e nismës “Gati për Shqipërinë”, si pjesë të administratës publike.

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi tha pas mbledhjes së qeverisë “se pjesa e parë do të jetë për studentët ekselentë, jo vetëm ata që kanë studiuar në Shqipëri, por edhe ata që kanë studiuar jashtë saj”.

“Ata mund të përfshihen tashmë nëpërmjet kontratave 1-vjeçare në të gjithë institucionet shtetërore duke përfshirë ministritë dhe institucionet e tjera të varësisë”, shtoi Muzhaqi.

Sipas saj, “Gati për Shqipërinë” nuk është një nismë e përkohshme, do të vijojë edhe në të ardhmen.

“Për ta vijuar do të ngrihen edhe qendrat e ekselencës, të cilat do të jenë në institucionet kryesore, që janë vendosur si të nevojshme për ti pasur këto qendra. Aty do të përfshimë siç kemi premtuar edhe të rinjtë që kanë aplikuar në nismën “Gati për Shqipërinë” për projekte të ndryshme, koncepte që duan të vijojnë apo edhe përfshirjen duke punuar online në vendet kua ta tashmë jetojnë”, nënvizoi Muzhaqi duke shtuar se do të vijojmë procedurat me të gjithë aplikuesit që janë përzgjedhur nga nisma “Gati për Shqipërinë”.

Ministrja Muzhaqi shtoi se “nisma “Gati për Shqipërinë”, ka qenë një proces disamujor ku i gjithë kabineti i ministrave është përfshirë në mënyrë aktive. Me drejtimin e Kryeministrit kemi zhvilluar një sërë intervistash me të gjithë të rinjtë që kanë aplikuar, por edhe ata më pak të rinj”.

/k.s/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCOVID-19 – Letonia kufizon jetën publike për të pavaksinuarit
Artikulli tjetërÇuçi e Kumbaro me drejtuesit e Policisë: Ndëshkim të ashpër për autorët e krimeve mjedisore