Ballina Ekonomi

Sigurimet, tregu i kthehet ritmeve të rritjes të parakrizës

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Tregu i sigurimeve i është kthyer ritmeve të rritjes të parakrizës.
Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-shtator 2021 kapën vlerën 14,166 milionë lekë, ose 18.06 % më shumë se në janar-shtator 2020.

Referuar raportit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), gjatë periudhës janar-shtator 2021, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 849,732 me një rritje prej 22.53 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e jo-jetës, të cilat sollën 92.6 % të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e jetës kanë 7.23 %. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 39.35 % dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 60.65 % të totalit të tregut.

Gjatë periudhës janar-shtator 2021, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 5,171 milionë lekë, ose 7.21 % më pak se në periudhën janar-shtator 2020, ndikuar kryesisht nga pagesa e pjesës më të madhe të dëmshpërblimeve për tërmetet e fund vitit 2019 gjatë vitit të kaluar.

Ndërkohë dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik për periudhën janar-shtator 2021 kapën vlerën 3,025 milionë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 42 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakImpiantet e përpunimit të mbetjeve, hap i madh për një Shqipëri të pastër
Artikulli tjetërRihapet gara për ndërtimin e aeroportit të Sarandës