Ballina Flash

Kushi: BE, partneri ynë më i rëndësishëm në arsim


TIRANË, 27 tetor/ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi  deklaroi sot gjatë aktivitetit në Universitetin Politeknik në Tiranë, për prezantimin e mbështetjes së BE-së për arsimin në Shqipëri se, “BE është partneri ynë më i rëndësishëm në kuadër të arsimit të lartë, por edhe të arsimit në tërësi”.

“Jam shumë e lumtur që ia dolëm ta fillojmë vitin e ri akademik me prezencë fizike. Pas një periudhe shumë të, gjatë më shumë sesa 1 vit, ndoshta 1 vite e gjysmë të auditorëve të mbyllura dhe të zhvillimit të mësimit online në të gjitha universitetet, jo vetëm shqiptare, por kudo në mbarë globin, jam e lumtur që ia dolëm”, tha Kushi.

Kushi falënderoi studentët për mirëkuptimin që treguan për kapërcimin e kësaj sfide.

“Ju falënderoj akoma më shumë për mirëkuptimin që treguat për fillimin e këtij viti akademik me kushtin e respektimit të të gjitha rregullave dhe protokolleve shëndetësore të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe të gjithë ekspertët e Komitetit të Ekspertëve”, iu drejtua Kushi studentëve.

Ministrja u bëri edhe një herë thirrje studentëve që janë ende të pa vaksinuar. “Ju lutem, jo vetëm për shëndetin tuaj, të familjarëve tuaj, të miqve, të komunitetit, por edhe për të garantuar vazhdimin në auditore të procesit mësimor në Universitete”, nënvizoi Kushi.

Kushi u shpreh se, “jemi pak ditë përpara 70-vjetorit të hapjes së këtij Universiteti, por edhe të arsimit të lartë në Shqipëri. Një ngjarje shumë e rëndësishme. Jam krenare që ky 70 vjetor na gjen me progres në arsimin e lartë”.

“Objektivi ynë i fundit, për të cilin na janë bashkuar të gjithë universitetet, për bashkëpunim të ngushtë me universitetet më prestigjioze evropiane dhe botërore, më vjen mirë ta them që në një kohë shumë të shkurtër universitetet kanë arritur të lidhin marrëveshje bashkëpunimi dhe të hapin programe të përbashkëta. Në mënyrë që të garantojmë cilësi në arsimin e lartë. Në mënyrë që të garantojmë që diplomat e studentëve tanë të kenë të njëjtën vlerë si diplomat e bashkëmoshatarëve të tyre në vendet e BE-së”, tha Kushi.

Kushi theksoi se, “BE është partneri ynë më i rëndësishëm në kuadër të arsimit të lartë, por edhe të arsimit në tërësi”.

Duke folur për programin Erasmus, Kushi u shpreh se, “ky është një programet më të rëndësishme dhe që jep kontribut në shumë aspekte, si rritja e cilësisë në arsim, gjithëpërfshirja. I pajis studentët me kualifikime dhe aftësi për një pjesëmarrje më të mirë të tyre në një shoqëri demokratike. Dhe i përgatit ata për të kuptuar dhe konkurruar sa më mirë në tregun ndër-kulturor të punës”.

Kushi përmendi programet me të cilat MAS dhe BE kanë bashkëpunuar ndër vite për arsimin, teksa theksoi se, “duke pasur parasysh sfidat që na solli në arsim pandemia e COVID-19, një nga fushat ku mund të synohej zgjerimi i bashkëpunimit në të ardhmen e afërt do të ishte edhe digjitalizimi i arsimit parauniversitar”.

“Një nga programet të cilat unë i kam shumë për zemër, por edhe që përditë po i shikoni rezultatet është “EU4Schools”. Një program i financuar nga BE në përgjigje ndaj procesit të rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019. Program, i cili zbatohet nga UNDP në bashkëpunim me qeverinë shqiptare. Programi është pjesë e angazhimit financiar të BE-së në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve, organizuar në Bruksel, më 17 shkurt të vitit 2020 dhe përfshin rehabilitimin dhe ndërtimin e objektive si kopshte, çerdhe, shkolla fillore dhe të mesme të dëmtuara nga tërmeti. Janë rreth 60 ndërtesa arsimore, duke përfshirë, çerdhet, kopshtet, shkollat 9-vjeçare dhe të mesme dhe konviktet. Një pjesë kanë përfunduar shumë të tjera janë në proces”, tha Kushi.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBashkia Sarandë bashkëpunim me qytetin gjerman Lübeck
Artikulli tjetërItalia në Oscar me ”Ishte dora e Zotit”