Ballina Bota

BRUKSEL – Morawiecki: Gati për dialog me BE-në

BRUKSEL, 21 tetor /ATSH-AFP/ – Kreu i qeverisë polake, Mateusz Morawiecki, në konflikt me Brukselin për pavarësinë e drejtësisë dhe parësinë e ligjit evropian, tha sot se ishte gati për dialog, ndërsa denoncoi presionin e shantazhit, para hapjes së një samiti të të 27-ve në Bruksel.

“Ne nuk do të veprojmë nën presionin e shantazhit, por ne jemi gati për dialog (…) Sigurisht që do të diskutojmë se si të zgjidhen mosmarrëveshjet aktuale”, tha Morawiecki, pas një bisede me presidentin francez Emmanuel Macron dhe para takimit të planifikuar me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

“Gjatë takimit të tij me Morawiecki-n, kreu i shtetit francez “shprehu shqetësimet e tij në lidhje me situatën e krijuar nga gjykimi i gjykatës kushtetuese polake”, njoftoi Elysée.

“Ai i bëri thirrje homologut të tij që të angazhohet në një dialog me Komisionin për të gjetur një zgjidhje të pajtueshme me parimet dhe rregullat tona të përbashkëta”, sipas të njëjtit burim.

Prej disa vitesh, Varshava ka qenë në konflikt me Brukselin për reformat gjyqësore të ndërmarra nga Partia Konservatore Nacionaliste në pushtet (PiS), e akuzuar për minimin e pavarësisë së gjyqtarëve.

Tensionet janë rritur që nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese Polake më 7 tetor, që shpalli disa nene të traktateve evropiane të papajtueshme me Kushtetutën kombëtare.

Ky vendim u denoncua nga Brukseli si një sulm i paprecedentë ndaj përparësisë së ligjit evropian dhe juridiksionit të Gjykatës së Drejtësisë së BE-së, por edhe si ilustrimi përfundimtar i mungesës së pavarësisë së drejtësisë polake në lidhje me qeverinë./ /ervo/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakZgjatja e afateve të Vetting-ut e domosdoshme, 300 dosje do mbeteshin të papërfunduara
Artikulli tjetër“Shqipëria buzëqesh”, 1,860,335 vaksinime në gjithë vendin