Zgjatja e afateve të Vetting-ut e domosdoshme, 300 dosje do mbeteshin të papërfunduara

TIRANË, 21 tetor/ATSH-Maela Marini/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi sot në mbrëmje se zgjatja e afateve të Vettingut është e domosdoshme pasi sipas saj, nëse procesi do të përfundonte në qershor 2022 do të kishin ende 300 dosje të papërfunduara.

E ftuar në një studio televizive, Spiropali tha se “edhe në raportin e Komisionit Europian, Vettingu veçohet si sukses i Reformës në Drejtësi dhe kërkohet vijimësia e Vetingut në të njëjtat terma dhe me të njëjtët komisionerë e Komision Kualifikimi”.

“Nëse afatet e KPK dhe Komisionerit do të përfundonin në qershor 2022 do të kishim rreth 500 çështje të përfunduara dhe rreth 300 të papërfunduara. Pra, një numër shumë të lartë dosjesh të papërfunduara. Dhe kështu do të kishte cenim të procesit dhe do të cenoheshin  edhe standardet”, tha ajo.

Sipas Spiropalit, “KLGJ dhe KLP nuk e kanë objekt të punës së tyre dhe parashikohet që procesi i Vettingut mund të zgjasë deri në 2026, nëse bëhet nga KLGJ e KLP”.

Spiropali tha se “kjo do të sillte zvarritje, zgjatje dhe cënim të integritetit të procesit”.

Ajo e konsideroi të pajustifikuar hezitimin për të votuar shtyrjen e afateve të Vettingut. “Nëse i hyjmë në thelb çështjes, nga Vettingu mbi 60 % e prokurorëve dhe gjykatësve nuk e kanë kaluar procesin. Kjo tregon se ka qenë një proces i domosdoshëm pastrimi në  sistemin e drejtësisë”, tha ajo.

“Ne nuk i kemi 94 vota, por besojmë te vullneti i opozitës dhe dëshira e tyre për përfundimin e Reformës në Drejtësi. Kanë votuar për këtë në 2016. Ne nuk vendosim ultimatume, as ne as ata, dhe as pranojmë ultimatume për këtë çështje, sepse është çështje e vetëdijes së çdo deputeti që me fjalë e mbështet Reformën në Drejtësi, pro duhet ta tregojnë këtë me votë. Por kjo është çështje e vetëdijes politike”, tha Spiropali.

/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.