Bala: 15 të shtruar tek “Shefqet Ndroqi” me pasoja pas kalimit të COVID-19

TIRANË, 23 shtator/ATSH/ Shefja e Shërbimit Universitar të Pneunomologjisë pranë spitalit “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, Silvana Bala tha sot se “në këtë spital nuk ka të shtruar me COVID-19”.

Por, nënvizoi ajo, janë të shumtë ata që kërkojnë ndihmë për pasojat, pasi kanë kaluar virusin. Bëhet fjalët për pacientë që sapo kanë kaluar infeksionin ose që vijojnë të jenë pozitivë për një kohë të zgjatur.

Në një prononcim për mediet, Bala theksoi se “në spitalin “Shefqet Ndroqi” ndodhen tri klinika universitare të pneumologjisë dhe mund të them që në çdo klinikë ne mund të kemi 4-5 pacientë, të cilët janë me post apo me COVID të zgjatur”.

“Këta pacientë mbartin simptoma të COVID-19, ku më të shumta janë vështirësi në frymëmarrje, kolla e fortë nxitëse, debulesa. Nga ndryshimet anatomike të mushkërive është fibroza, e cila është pasojë mbetëse e pneumonisë së COVID-19 tek këta pacientë”, – tha Bala.

Sipas saj, të sëmurët janë të moshës mesatare 50 vjeç dhe lart.

“Janë ata pacientë, të cilët trashëgojnë sëmundje të kaluara pra janë diabetikët, të sëmurët kardiakë, anemikët, pra pacientë të cilët kovidi i ka rënduar në klinikën e tyre, sepse i ka gjetur edhe me një sëmundje tjetër pararendëse”, – u shpreh Bala.

Mjekja Bala tha se “këta pacientë i rrezikon mbivendosja e infeksioneve bakteriale”.

“Pra një pneumoni e mbivendosur mbi mbeturinat e një pneumonie postkovid, në periudhën gjatë dhe postkovid, një emboli pulmonare, bëhet rrezikprurëse për jetën e tyre. Ka plot pacientë që kanë mbetur me probleme të ngushtimit të rrugëve të frymëmarrjes, pra me fillimin e një sëmundje të shpeshtë që ne e njohim që është astma bronkiale”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.