Mision studimor-shkencor në Bylis, Margariti: Rast i shkëlqyer për ta vënë në dukje pasurinë kombëtare

TIRANË, 23 shtator/ATSH/ Në qytetin antik të Bylisit në Fier, ka nisur sot misioni studimor -shkencor “Korpusi i mozaikëve”.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila thekson ky mision është një rast i shkëlqyer për të vënë në dukje këtë pasuri kombëtare.

“Misioni studimor-shkencor “Korpusi i Mozaikëve”, një bashkëpunim disavjeçar mes Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe Qendrën Kombëtare për Studime Shkencore, CNRS, Sorbonne Université, i cili filloi sot në Parkun Arkeologjik Bylis, është një rast i shkëlqyer për të vënë në dukje këtë pasuri kombëtare”, thekson Margariti.

Ministrja Margariti shprehet se “parku arkeologjik kombëtar i Bylisit është i vetmi në Shqipëri me mbi 1000 m² mozaik të periudhës së antikitetit të vonë. Një hapësirë që tërheq vëmendjen e studiuesve dhe vizitorëve”.

Qyteti antik i Bylisit shtrihet sapo del nga qyteti i vogël i Ballshit, 10 km larg tij, në krahun e djathtë të rrugës, ku të bie në sy një varg kodrash të larta.

Teatri i Bylisit është një nga monumentet më të mëdha të kësaj qendre arkeologjike, i cili është ndërtuar në fillim të shekullit të 3-të para Krishtit dhe ka një kapacitet prej 7500 vendesh, që do të thotë që ka qenë një nga veprat më të mëdha të kohës.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.